27 vjet nga Masakra e Kralanit, Zenun Elezaj: Plagë e hapur për shoqërinë

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka kujtuar 27-vjetorin e masakrës së Kralanit, duke theksuar se krimet e luftës vazhdojnë të rëndojnë shoqërinë edhe sot.

Përmes një postimi publik, Elezaj bëri të ditur se homazhet i ka bërë bashkë me kryesuesin e Kuvendit Komunal, Enver Berisha, nënkryetarin Fadil Gashi, Dr. Haxhi Ibishin, bashkëpunëtorë të komunës, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, si dhe familjarë të të rënëve dhe të pagjeturve.

“Sot, në 27 vjetorin e masakrës së Kralanit… kemi bërë homazhe dhe kemi vendosur kurora lulesh te pllaka përkujtimore e martirëve në Klinë”, ka shkruar Elezaj.

Ai bëri të ditur se homazhe janë zhvilluar edhe në memorialin e të pagjeturve në Kralan, si dhe në fshatrat Pastasel dhe Izbicë.

“Në shenjë kujtimi e nderimi… homazhe kemi bërë edhe tek memoriali i të pagjeturve në Kralan, Pastasel dhe Izbicë ku kriminelët serbë kryen masakra të tmerrshme e jonjerëzore”, thuhet në postimin e tij.

Sipas tij, nderime janë bërë edhe në Qupat e Larta.

Elezaj theksoi se plagët e luftës mbeten ende të hapura dhe kërkoi drejtësi për viktimat dhe zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Të pagjeturit e luftës dhe masakrat e kryera nga shteti gjakatar serb janë plagë e hapur për shoqërinë tonë tash e 27 vjet. Kryesit e këtyre masakrave duhet të vihen para drejtësisë dhe fati i të pagjeturve duhet të ndriçohet”, ka deklaruar ai.

Postimin e tij, Elezaj e përmbylli me mesazhin: “Lavdi të rënëve për liri!”