24-vjeçari në Pejë kapet me marihuanë në veturë, dërgohet në mbajtje

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike,

Një rast i tillë është zbuluar në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Treboviq të Pejës, ku një njësi policore që po patrullonte në atë zonë kanë ndalur për kontroll një veturë.

Gjatë kontrollit, 24-vjeçarit i është gjetur në xhep një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Droga është sekuestruar dhe i dyshuari është arrestuar.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.