2 policë të suspenduar në SHBA pasi përplasën përtokë një 75-vjeçar

Dy policë amerikanë janë suspenduar në New York, për shkak të brutalitetit të ushtruar ndaj një 75-vjeçari gjatë protestave kundër racizmit.

Ai menjëherë është dërguar në spital, por mbetet në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi u përplas përtokë nga dy policët.

Rastin e kanë dënuar udhëheqësit e shtetit të New Yorkut që kanë deklaruar se brutaliteti ndaj 75-vjeçarit ishte i paarsyetueshëm, transmeton KOHA.

Videoja e rrahjes ndaj të moshuarit është vetëm një prej dhjetëra të tillave që u janë dorëzuar autoriteteve për të dëshmuar dhunën e panevojshme të policisë ndaj protestuesve kundër racizmit. Protestat për vdekjen e afro-amerikanit George Floyd, kanë vazhduar edhe në ditën e dhjetë. Keqtrajtimi i tij deri në vdekje nga policia ka ngjallur trazira të mëdha kundër diskriminimit racor dhe trajtimit të policisë ndaj afro-amerikanëve nëpër SHBA, por edhe në botë.