19-vjeçarja në Klinë ia sheh sherrin TikTok-ut, përfundon në Polici pasi postoi një video me armë

Publikimi i videove e fotove të ndryshme në rrjete sociale shpesh po i fut kosovarët në sherr me Policinë. Ata jo rrallë herë dalin të jenë merakli të mbajtjes së armëve, kryesisht pa leje dhe me ekspozimin e tyre në rrjete sociale, shpesh tentojnë të shfaqen si të “fortë” dhe të pakapshëm për organet e rendit,

Për një rast të tillë është shoqëruar në stacion policor dje një vajzë nga fshati Volljakë e Klinës.

Sinjali mëson se 19-vjeçarja kishte publikuar një video në rrjetin social TikTok, përmes së cilës ekspozonte një armë zjarri.

Gjatë intervistimit nga organet e hetuesisë, e dyshuara ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet, teksa ka zbuluar se arma është në pronësinë e një 28-vjeçari.

Njësitë policore kanë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, mirëpo s’kanë hasur në armën në fjalë dhe as në të dyshuarin, pasi sipas familjarëve, ai ndodhet jashtë vendit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.