15 mijë e 824 kosovarë u pajisën me viza pune, të Gjermanisë, brenda 2 vjetëve

Për dy vjet radhazi, 15 mijë e 824 kosovarë u pajisen me viza pune të Gjermanisë.

Kjo u bë e ditur nga një raport i publikuar nga Instituti GAP për emigrimin e fuqisë punëtorë të Kosovës në Gjermani.

Të dhënat zyrtare bëjnë të ditur se shtetasit e Kosovës prijnë nga numri i aplikimeve dhe pajisjes me viza pune, në krahasim me vendet e tjera të rajonit.

Sipas raportit të Institutit GAP gjatë viteve 2016-2018, nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, (Kosovë, Serbi, Maqedoni e Veriut, Shqipëri, Mal i Zi, Bosnjë e Hercegovinë) janë shqyrtuar për miratim gjithsej 204,638 kontrata pune, prej të cilave rreth 80% janë miratuar.

Vetëm 40% e tyre janë pajisur me viza pune, ku 24% apo 15 mijë e 824 ishin kosovarë.

Raporti ofron edhe të dhëna mbi sektorët dhe profesionet në të cilat shtetasit e Kosovës kanë arritur të siguronin viza pune, ku prijnë ndërtimtaria, hotelieria dhe shërbimet e kujdesit, ndërsa profesionet me më së paku aplikime të suksesshme janë sektori i financave, i sigurimeve dhe i edukimit.