Zoran Gjokiqit i vërtetohet nga Supremja dënimi prej 12 vjetësh me burgim për krime lufte

Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në rastin e dënimit të Zoran Gjokiqit.

Gjokiq është dënuar me 12 vjet burgim pasi është gjetur fajtor për kryerje të veprës penale “krime lufte kundër popullatës civile”.

“Në procedurën ankimore, edhe Gjykata e Apelit-Departamenti Special, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës si dhe të mbrojtësit të dënuarit Z.Gj., ndërsa aktgjykimin e shkallës së parë e ka vërtetuar”, thuhet në kumtesë.

“Gjykata Supreme me aktgjykim e ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së Z.GJ., duke vërtetuar se gjykatat e instancës më të ulët, drejt kanë zbatuar ligjin penal dhe se në veprimet e të dënuarit qëndrojnë të gjitha elementet objektive dhe subjektive të veprës penale, për të cilën është shpallur fajtor”.

Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor Gjokiqin për krime lufte në lagjen “Kristal” të Pejës.

Ai akuzohet se në periudhën mars – prill të vitit 1999, përkatësisht më datën 29 mars 1999 kishte bashkëvepruar me një grup të organizuar kriminal të nacionalitetit serb dhe kishin shkuar në lagjen “Kristal” të Pejës, duke marrë pjesë në aksionin që kishte filluar për vrasjen dhe dëbimin e qytetarëve shqiptarë nga shtëpitë e tyre.