Zjarret në disa fshatra të Klinës, nderohen zjarrfikësit për guxim dhe sakrificë

Ditëve të fundit, për shkak të temperaturave të larta, janë përfshirë nga flakët fshatrat Siçevë, Dush, Jellovcë, Resnikë dhe Açarevë në Komunën e Klinës.

Në terren, të parët që kanë mbërritur kanë qenë njësia e shpëtimit të zjarrfikësve, të cilët menjëherë kanë nisur aksionin për shuarjen e flakëve. Po ashtu, në vendngjarje ishte ambulanca e ndihmës së parë për evakuimin e qytetarëve. Situata është ndjekur nga afër edhe nga kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, komandanti i stacionit policor në Klinë, Enis Lluka, së bashku me njësi të policisë.

Në ndihmë janë angazhuar edhe KFOR-i Italian i bazës ushtarake në Pejë si dhe banorët e fshatrave, me qëllim që zjarri të mos përhapej më tej. Megjithatë, për shkak të erës së fortë, flakët janë përhapur me shpejtësi të madhe, duke e vështirësuar punën e zjarrfikësve. Nga zjarret janë djegur disa shtëpi dhe objekte ndihmëse, përfshirë stallat e kafshëve.

Guximi dhe sakrifica e zjarrfikësve u vlerësua lartë nga qytetarët. Në shenjë mirënjohjeje, Shoqata “Shën Nëna Terezë” në Quinto di Treviso, Itali, së bashku me afaristë dhe veprimtarë të dalluar të mërgatës, si Hetem Zogaj, Albert Bashota, Smail Gashi, Ramiz Gashi, Enver Berisha (drejtor për financa dhe ekonomi) dhe ambientalisti Ragip Kryeziu, i nderuan zjarrfikësit me mirënjohje të veçantë.

Komandanti i njësisë së shpëtimit, Elmi Zenunaj, së bashku me disa nga zjarrfikësit, pritën përfaqësuesit e shoqatës dhe shprehën mirënjohjen e tyre për vlerësimin.