WEBOMETRICS rangon Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”, për 3446 vende më lartë – Nga Adem Lushaj

Universiteti i Gjakovës që mbanë emrin e atdhetarit të shquar, heroit të kombit, Fehmi Agani, është njëri nga universitetet që është themeluar në vitin 2013, sipas një vendimi të Qeverisë së Republikës së Kosovës, vendim i ratifikuar edhe nga Parlamenti. Edhe pse ka vetëm shtatë (7) vite nga themelimi, ka treguar rezultate të dukshme në ngritjen e cilësisë intelektuale dhe të ndërkombëtarizimit. Mirëpo, gjatë kësaj periudhe kohore, kishte edhe sfida të cilat me kohën janë duke u anashkaluar me përkushtimin e menaxhmentit dhe të përkrahjes institucionale, qoftë nga ato vendore apo edhe ndërkombëtare. Kështu bëjnë të ditur, Prof. Ass. Dr. Artan Nimani, rektor dhe Prof. Ass. Dr. Vjollca Dibra, prorektore për ngritje të cilësisë të këtij Universiteti, të cilët me modesti tregojnë për të arriturat në fushën shkencore dhe të ndërkombëtarizimit, sidomos me realizmin e projekteve që kanë të bëjnë me ngritjen profesionale të mësimdhënësve dhe studentëve. Sipas vlerësimit të fundit të bërë nga institucioni ndërkombëtar për rangimin e universiteteve të botës (WEBOMETRICS), “Fehmi Agani” ka shënuar rritje për 3446 vende. Njëra ndër të arriturat është, edhe kalimi i fazës së parë të procesit të akreditimit për gjashtë (6) programe të reja, krahas katër (4) që ishin deri më tash. Por, synimet janë më të mëdha, jo vetëm në ngritjen e rangimit, por edhe me hapjen e programeve shtesë të cilat përkojnë me nevojën e tregut të brendshëm dhe të jashtëm.

“Ngritja e kapaciteteve intelektuale, infrastruktura e domosdoshme bashkëkohore për punë dhe ndërkombëtarizimi, janë tri shtyllat kryesore në të cilat është i angazhuar menaxhmenti i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë”, ka treguar rektori Nimani, i cili ka marrë detyrën e menaxherit më 1 tetor të vitit 2019, së bashku me kolegët tjerë. Rektori Nimani, ka bërë të ditur se disa nga sfidat si në aspektin e infrastrukturës ligjore edhe kushteve për pune kërkimore shkencore janë tejkaluar. “Nga ky vit kemi arritur që të jemi të pavarur në sistemin e menaxhimit të studenteve, tash kemi programin tonë, ngase deri më tash ishim në varësi UP-së”, ka bërë të njohur Nimani, që sipas tij, ende mbetet sfidë, autonomia financiare dhe aprovimi i Statutit të përhershëm në Kuvendin e Kosovës. Rektori Nimani ka përmend edhe nevojën për ndërtimin e një kampusi i cili do t’i plotësonte nevojat për punë dhe mësimnxënie, sipas standardeve më bashkëkohore ndërkombëtare. I pari i këtij tempulli të dijes ka treguar se kanë siguruar lokacionin për ndërtim të Kampusit universitar, sikurse që kanë hartuar projektin që do t’i përmbushte nevojat për 3000 mijë studentët e tanishëm dhe studentet e ri që do regjistrohen në tetor, si dhe administrata e universitetit. “Jemi në bisedime me Bankën Investive të Bashkimit Evropian për një kredi prej 20 milion euro për ndërtimin e gjithë infrastrukturës së duhur, çka shpresojmë që sa më shpejt të fillojmë me realizim të projektit. Po ashtu, kemi marrë mbështetjen e duhur institucionale edhe nga Ministria e Financave, andaj jemi optimist së shumë shpejt do kemi gjitha kushtet për të shënuar rezultate edhe më të mira, duke rrit rangimin krahas universiteteve tjera si motra në tërë botën”, ka nënvizuar rektori Artan Nimani, i cili sukseset që po shënon ky universitet ua atribuon, ndihmësve të tij, kolegëve dhe studentëve. Ai, beson se nga tetori i këtij viti, do të startojnë edhe me dy fakultete të reja, krahas gjashtë (6) programeve shtesë të cilat ishin të hulumtuara mirë për nevojën dhe mungesën e tyre. “Fakulteti i shkencave sociale dhe Fakulteti i shkencave aplikative, janë fakultetet e reja në të cilat do fillojnë studimet, ngase kemi parë të nevojshme si rezultat i hulumtimeve të bëra, qoftë si nevojë për studime, ashtu edhe si treg për punësime”, ka sqaruar Nimani, duke treguar edhe për programet e reja që janë akredituar si në nivelin Baçelor, ashtu edhe në atë master. Sipas tij, në nivelin e studimeve Baçelor, do fillojnë studimet në shëndetin publik, fizioterapi, gjuhë angleze – përkthim dhe interpretim dhe kujdes e mirëqenie sociale. Ndërsa, në nivelin master do fillojnë studimet në Gjuhë shqipe dhe letërsi,si dhe në Menaxhim shëndetësor. 

Ngritja e cilësisë dhe ndërkombëtarizimi janë synime të vazhdueshme të stafit drejtues dhe punues të universitetit “Fehmi Agani”, çka edhe janë realizuar numër i madh i projekteve në bashkëpunim me universitetet e vendeve tjera të Evropës. “Anëtarësimi në programin ERASMUS+, bashkëpunimi me universitetet e shteteve tjera, si të Gjermanisë, Shqipërisë, Sllovenisë, Polonisë, Turqisë, Danimarkës, Finlandës, Italisë, Malit të Zi, Bullgarisë, Belgjikës, Izraelit, ka bërë që të kemi ngritje të dukshme në rangimin botëror të universiteteve”, ka treguar prorektorja Vjollca Dibra, duke theksuar se Universiteti i Gjakovës, për gjashtë muaj është ngritur për 3446 vende në rangimin e bërë nga WEBOMETRICS. Sipas prorektores Dibra, programi i shkëmbimit të përvojave mes universiteteve ka bërë që të përfitojnë shumë në aspektin e ngritjes së cilësisë, gjë që janë realizuar edhe shumë projekte në bashkëpunim, qoftë si lider, apo edhe si partner në implementim. “Kemi tetë (8) projekte në realizim sipas programit ERASMUS +, sikurse që jemi në pritje edhe të 12 projekteve tjera që financohen nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Dibra, projekte këto që do të ndikojnë në ngritjen e kapaciteteve intelektuale dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar. Dibra ka treguar se në bashkëpunim me universitetet e Bullgarisë dhe Malit të Zi, janë bashkorganizator të tri (3) konferencave. Gjithnjë sipas saj, Universiteti i Gjakovës ka organizuar Konferencën ndërkombëtare në fushën e mjekësisë, në Gjakovë, ndërsa në dy të tjerat në Bansko të Bullgarisë dhe Ulqin të Malit të Zi, është bashkorganizator. 

“Në Tiranë ka filluar implementimi i projektit të ri në kuadër të Erasmus+ “DRIVE – Developing Research and Innovation Capacities in Albania and Kosovo” (DRIVE – Zhvillimi i Kapaciteteve të Kërkimit dhe Inovativ në Shqipëri dhe Kosovë), në të cilin Universiteti ynë është partner i këtij projekti, ku vlera e përgjithshme e projektit është mbi 900 mijë euro. Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti është të kontribuojë në zhvillimin e aftësive kërkimore dhe inovacionit të IAL-ve në Shqipëri dhe Kosovë, duke rritur aftësitë e tyre institucionale, ngritjen e kapaciteteve të personelit dhe rrjetëzimin me universitete tjera. Universitetet pjesëmarrëse të këtij projekti janë: Universiteti Teknologjik i Hamburgut, Universiteti i Aalburgut, Universiteti Politeknik i Milanos, Universiteti Polis, Universiteti Evropian i Tiranës, Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Kolegji Universum”, ka treguar prorektorja Dibra, e cila së bashku me rektorin Nimani, ishin në ceremoninë e nënshkrimit për implementim të këtij projekti domethënës për universitetin. Projekte të ngjashme janë në implementim edhe me universitetin e Lubjanës dhe universitetet tjera të vendeve të ndryshme të rajonit. Rektori, Artan Nimani dhe Prorektorja, Vjollca Dibra, projektet e ERASMUS+, i kanë vlerësuar lartë edhe në shkëmbimin e përvojave në mësimdhënie dhe mësimnxënie, ngase përmes këtij shkëmbimi është arritur që 20 studentë të ndjekin studimet në Turqi, 5 në Belgjikë dhe 1 në Poloni, sikurse që profesorët e këtij universiteti kanë mundësinë të ligjërojnë në universitetet evropiane. Por, Nimani dhe Dibra, kanë ambicie më të mëdha, si në ngritjen e cilësisë intelektuale, ashtu edhe të transparencës dhe ndërkombëtarizimit. “Kemi themeluar zyrën e projekteve, zyrën sigurimit të cilësisë, zyrën për vlerësim të përformances së brendshme, shoqatën e karrierës- ALUMNI, dhe një sërë dikasteresh tjera që janë të parapara me aktet ligjore dhe nënligjore të MASHT-it dhe AKA-KSHC-së.

“Universiteti i Gjakovës ka themeluar shtëpinë vet botuese dhe ka siguruar katalogimin e nevojshëm kombëtar dhe ndërkombëtare. Kemi Revistën shkencore ndërkombëtare, Qendrën e Didaktikës dhe Institute ne nivel programesh, sikurse që kemi instaluar edhe sistemin antiplagjiaturë në shërbim të studenteve dhe stafit”, ka treguar rektori Nimani, duke thënë se ky universitet është anëtari e plotë në Konferencën e Rektorëve të IPAL, dhe shprehet i bindur që së shpejti do jetë i anëtarësuar edhe në Asociacione dhe rrjete të universiteteve botërore, pasi që veç ka arritur të jetë anëtare e Rrjetit Ballkanik të Universiteteve, sikurse që është anëtare e Forumit Evropian të Rektorëve. Gjithnjë sipas tij, niveli i transparencës dhe llogaridhënies do jetë prioritet, edhe pse vlerësimi i bërë nga organizatat monitorueses (QAINT dhe ORCA), ka dalë të jetë i nivelit të lartë të transparencës dhe llogaridhënies. Nimani dhe Dibra, pasi që kanë treguar se këtë vit, gjatë kohës se janë bashkatdhetarët në Kosovë, do organizojnë Universitetin veror në Gjakovë, thonë se nuk do ndalën nga angazhimi i tyre për arritjet shkencore të “Fehmi Agani” dhe ndërkombëtarizimi i tij.