VV-Guxo-Alternativa e PSHDK arrijnë marrëveshje, garojnë së bashku në zgjedhjet e 7 qershorit

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 7 qershorit do të garojë së bashku me Guxon, Alternativën e PSHDK-në.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga vetë Guxo para pak minutave.

Sipas Guxo-së, ky nuk është një bashkim i përkohshëm, por një qëndrim politik i vendosur për të qeverisur me përgjegjësi.

Njoftimi i plotë:

Sot u vulos vazhdimi i një rruge të përbashkët politike: Partia GUXO, Lëvizja VETËVENDOSJE!, Partia ALTERNATIVA dhe Partia Shqiptare Demokristiane nënshkruan Marrëveshjen e Koalicionit, si angazhim i qartë përpara qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ky nuk është një bashkim i përkohshëm, por një qëndrim politik i vendosur për të qeverisur me përgjegjësi, për të mbrojtur interesin shtetëror dhe për ta vendosur qytetarin e Republikës në qendër të çdo vendimi.

Ne hyjmë në këtë marrëveshje me bindjen se shteti forcohet vetëm përmes drejtësisë që vepron, institucioneve që funksionojnë dhe një qeverisjeje që nuk i shmanget llogaridhënies. Lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia qytetare nuk janë premtime, por detyrime që burojnë nga besimi i qytetarëve.

Ky koalicion përfaqëson stabilitet, drejtim dhe qartësi politike: një Republikë më të fortë brenda dhe më të sigurt jashtë, me orientim të palëkundur euroatlantik dhe me partneritete strategjike të konsoliduara.

Partia GUXO qëndron në këtë bashkim me përgjegjësi të plotë, për të garantuar se politika nuk mbetet fjalë, por kthehet në veprim që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës./