Vuçiqi fton serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet në veri

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq u bëri thirrje përfaqësuesve të serbëve në Kosovë që të organizojnë sa më shpejt zgjedhjet për kryetar komunash në katër komuna në veri.

Kjo kërkesë e tij vjen pasi Beogradi zyrtar në fillim të këtij viti mbështeti bojkotin e zgjedhjeve në komunat veriore, duke rritur tensionet në rajon.

“Unë do t’i kërkoja popullit tonë që të dalin me iniciativa për organizimin e zgjedhjeve në këto katër komuna sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Vuçiqi për mediat beogradase, transmeton “Tanjug”, shkruan “AlJazeera”.

Në fund të majit, serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve shqiptarë nëpër objektet komunale pas zgjedhjeve lokale në katër komuna veriore, ku pjesëmarrja ishte 3.4 për qind, sepse serbët, të cilët përbëjnë shumicën në veri të Kosovës, i bojkotuan ato.

Në përleshjet u plagosën disa dhjetëra pjesëtarë të forcave paqeruajtëse (KFOR), të Policisë së Kosovës dhe qytetarë civilë shqiptarë, por edhe qytetarë të kombësisë serbe.

Përshkallëzimi shtesë i tensioneve pasoi dy javë më vonë, në mes të qershorit, kur forcat serbe arrestuan tre policë të Kosovës, për të cilët pretendojnë se kishin hyrë në territorin serb, të cilën Kosova e mohon, duke pretenduar se policia serbe i ka rrëmbyer në territorin e Kosovës.

Si reagim, Qeveria e Kosovës ka ndaluar hyrjen e mallrave nga Serbia në Kosovë.

E bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës, për çka beson se do të çonte në shtensionim të situatës.

Kosova ka pranuar këtë kërkesë, ndërsa po i shqyrton ende modalitetet që do të çonin në zgjedhje të reja – me peticion apo me dorëheqje të kryetarëve aktualë.

Ndërkaq, situata u përshkallëzua kur një polic i Kosovës u vra dhe tre të tjerë u plagosën në një përleshje midis një grupi paraushtarak prej rreth tridhjetë serbësh të Kosovës dhe policisë së Kosovës në veri afër fshatit Banjskë në fund të shtatorit, dhe tre sulmues serbë u vranë, ndërsa disa të tjerë u plagosën dhe u arrestuan.

Beogradi zyrtar e akuzon Kosovën për “terrorizimin e serbëve në veri”, ndërsa autoritetet e Kosovës pretendojnë se pas “sulmit terrorist” qëndron Serbia.

Milan Radoiçiq, nënkryetari i Listës Serbe, partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës, ka marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit paramilitar, por mohon se ka pasur mbështetjen e autoriteteve serbe.

Aleatët perëndimorë, përfshirë Brukselin dhe Uashingtonin, kanë paralajmëruar sanksione kundër Serbisë nëse Beogradi zyrtar shpallet përgjegjës për sulmin në Kosovë