Vrasja në Podujevë: Ardita ishte ulur në pjesën e pasme të veturës para se Ilazi të nisej për Majac

Janë zbuluar detaje të reja rreth vrasjes së rëndë që ndodhi të dielën mbrëma në Majac të Podujevës.

Sipas burimeve që i ka siguruar ekskluzivisht Klankosova.tv, Ardita Gashi, tashmë e ndjerë, kishte qenë në një kafene bashkë me Ilaz Brahimin, të cilin më pas e vrau me armë zjarri.

Pas daljes nga kafeneja, 31-vjeçarja, sipas informacioneve të siguruara, fillimisht ishte ulur në pjesën e përparme të veturës, por vetëm pak minuta më pas kishte kaluar në pjesën e pasagjerëve.

Kur Ardita dhe Ilaz kishin arritur pranë shtëpisë së 31-vjeçares në Majac, aty ndodhi vrasja. 45-vjeçari vdiq në vendngjarje, ndërsa e dyshuara mori peng gruan e axhës, Miradije Gashin, të cilën e plagosi.Kjo e fundit ndërroi jetë në QKUK, pasi ishte në gjendje të rëndë.

Edhe e dyshuara vdiq në spital, pasi u vetëplagos në kokë pas kryerjes së krimit të rëndë.

Motivi dhe rrethanat e kësaj vrasjeje nuk dihen ende, megjithatë Klankosova.tv ka siguruar edhe informacione të tjera rreth kësaj tragjedie, por nuk do t’i publikojë për momentin, për shkak të rrjedhës së hetimeve dhe ndjeshmërisë së rastit.