Vetëm 13 mostra janë testuar sot për koronavirus në QKUK

Tre persona janë konfirmuar si të infektuar me koronavirus 24 orët e fundit në Kosovë.

Deri në këto momente janë testuar 13 mostra prej tyre pozitive kanë dalë 3 raste.

Paradite u konfirmua me koronavirus personi i 17. I infektuari me Covid-19 është nga Dumnica e Podujevës.

“Rasti i sotit është rasti i Dumnicës. Familjar i personit të parë që është konfirmuar si pozitiv në këtë fshat”, njoftoi Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ndërkohë në orët e pasdites u konfirmua me koronavirus një çift nga Gjakova, që së fundi kanë ardhur nga Dussefdorfi i Gjermanisë.

“Rastet janë nga komuna e Gjakovës, të kthyer nga Dusseldorfi i Gjermanisë, njëri i gjinisë mashkull 54 vjeç dhe tjetri i gjinisë femër 49 vjeç”, u tha në komunikatën e ISHKPK-së.

Ndërkohë 7 mostra tjera rezultuan negative.

Numri i të infektuarve me Covid-19 në vendin tonë ka shkuar në 19 derisa gjendja shëndetësore e tyre thuhet të jetë stabile.

Nga data 08.02.2020 deri me 17.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 284 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2.