Vëllezërit Gashi të përfshirë në grabitjen e armatosur në Suharekë: Njëri u vra e tjetri po kërkohet nga Policia

Grabitja e armatosur në argjendarinë “Diakos” që tronditi javën e kaluar suharekasit ishte planifikuar si në filma nga një grup prej katër personave, të cilët mbushën çantat me ari në vlerë të 250 mijë eurove dhe u zhdukën. Sot njëri nga ta dyshohet se ka mbetur i vdekur në një përballje me Policinë, gjatë një operacion policor për kapjen e të dyshuarve për grabitjen e armatosur të argjendarisë në Suharekë,

Dy vëllezërit Gashi, Dukagjini që u vra dhe Korabi që po kërkohet nga Policia, dyshohen për përfshirje në grabitjen e armatosur, me një plan të detajuar, duke vepruar si grup kriminal edhe me dy të dyshuarit e tjerë.

Si rezultat i hetimeve, fillimisht ishin arrestuar tre persona të dyshuar për ndihmë në kryerje të veprës penale të grabitjes, përderisa hetimet drejt identifikimit dhe ndriçimit të rastit kanë vazhduar deri më sot, kur edhe u zhvilluan bastisjet.

Pas hetimeve intensive dhe mbledhjes së dëshmive, sot në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë është realizuar operacioni policor i cili ka përfshirë kontrollin në shtatë lokacione të ndryshme, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar.

Gjatë zhvillimit të operacionit policor, i dyshuari kryesor, tashëm i ndjerë, Dukagjin Gashi, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, me ç’rast është plagosur një zyrtar policor.

Zyrtarët policorë, sipas Polciisë, në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë të njëjtitn, përderisa katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar, në mesin e të cilëve Bujar Basha dhe Leotrim Cakolli.

Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër, vëllai i të vrarit, Korab Gashi, ende gjendet në kërkim policor.