Vdekja e dyshimtë e gruas në Drenas: Për rreth 2 javë nuk ishte lajmëruar, jetonte e vetme

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të dielën në mbrëmje në fshatin Baicë në Drenas, ku një grua u gjet pa shenja jete në shtëpinë e saj dhe akoma nuk dihen rrethanat në të cilat ka humbur jetën. Vdekja e Drita Kiqinës po cilësohet si e dyshimtë dhe tashmë kanë nisur hetimet,

Sinjali ka mësuar se viktima jetonte e vetme dhe rasti u zbulua pasi vëllai i saj që jeton jashtë vendit nuk kishte pasur kontakt me të për gati 2 javë dhe kjo i ngriti dyshimet për gjendjen e saj.

Kjo situatë i shqetësoi familjarët e saj, me ç’rast disa prej tyre shkuan gjatë ditës së djeshme për ta vizituar, por e gjetën pa shenja jete në banjon e shtëpisë.

Posa rasti është denoncuar, në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitë përkatëse, me ç’rast vdekjen e saj e ka konfirmuar ekipi mjekësor.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Vdekje e dyshimtë’, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.