Hoti paralajmëron se pas dy javësh do të kthehen masat ekstreme antiCOVID

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për media ku është bërë i ditur bilanci ditor i COVID-19, ka paralajmëruar se pas dy apo tri javësh do të detyrohen të marrin masa ekstreme për të ndaluar përhapjen e infeksionit,

“Prezenca jonë këtu është shenjë e informatave që ne marrim se rreziku është real që pas 2-3 javësh gjendja mund të jetë si në shtetet e BE-së apo dhe ne të detyrohemi që të marrim masa që janë më ekstreme. Prandaj jemi mobilizuar sot që të jemi në zbatim të masave. Për aq sa unë mund të them, me respektimin strikt të masave mund ta mbajmë këtë zgjedhje. Është edhe në interes të qytetarëve”, tha Hoti.

Tutje, ai ka bërë të ditur se deri më tani 5 për qind e mësimdhënësve dhe nxënësve të testuar, janë infektuar me COVID-19 në Kosovë.

 “Shkollat janë bërë shembull për të mirë edhe pse 5 për qind e mësimdhënësve dhe nxënësve që janë testuar deri më tani janë infektuar me koronavirus. Por, masat po respektohen edhe të njëjtën gjë duhet ta bëjmë në të gjitha institucionet, në mënyrë që të mos e izolojmë shoqërinë”, ka thënë Hoti.

Tutje, kryeministri tha se “duhet të mësohemi që të jetojmë me këtë pandemi edhe për një kohë, siç duket, edhe për një vit e sa”. /