Ushtria serbe thotë se ka rrëzuar një dron mbi Rashkë, fajësohet Kosova

Ushtria e Serbisë, pasditen e sotme ka thënë se ka rrëzuar një dron komercial që po lëvizte në drejtim të Kopaonikut në Rashkë.

Kështu së paku u tha në njoftimin për media të Ministrisë serbe të Mbrojtjes, e cila potencoi se “droni u rrëzua duke përdorur masa bllokuese elektronike, në afërsi të objekteve ushtarake në garnizonin e Rashkës”.

“Në përputhje me urdhrin e Presidentit të Republikës dhe Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Forcat e Armatosura të Serbisë po marrin masa të shtuara për zbulimin, gjurmimin dhe neutralizimin e mjeteve ajrore pa pilot pranë objekteve ushtarake. Forcat e Armatosura Serbe do të vazhdojnë, në përputhje me urdhrin e Presidentit të Republikës dhe të Komandantit të Përgjithshëm, të rrëzojnë të gjithë dronët e gjetur në zonën e ndalim-fluturimit dhe në afërsi të objekteve ushtarake”, deklaroi Ministria serbe e Mbrojtjes, raporton Klankosova.tv.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq tha sonte se droni, i cili u rrëzua nga ushtria serbe më herët gjatë ditës së sotme, po fluturonte nga drejtimi i Jarinjës dhe Rudnicës në drejtim të komunës së Rashkës.

Vuçeviqi tha se Forcat e Armatosura të Serbisë mbrojtën qiellin e Serbisë.

“I përgëzoj pjesëtarët e Forcave të Armatosura Serbe për veprimin e tyre dhe për saktësinë dhe vendosmërinë e tyre për të mbrojtur qiellin… Qielli mbi Serbi është i sigurt”, tha Vuçeviqi për televizionin serb “Pink”, transmeton Klankosova.tv.

I pyetur për supozimet se i kujt mund të jetë droni i rrëzuar, Vuçeviq tha se drejtimi i lëvizjes së dronit “është i qartë dhe tregon zonën nga vjen”.

“Hetimi do të përcaktojë se për çfarë lloj droni bëhet fjalë dhe gjithçka që do të vërtetojmë nga kjo si situatë faktike do të na çojë në atë ose do të tregojë se kush mund të jetë pronari. Do të shohim gjithashtu se kush është prodhuesi i atij droni dhe do të kemi një pamje më të qartë në ditët dhe orët në vijim”, tha Vuçeviqi.

Ai theksoi se ushtria serbe e rrëzoi këtë dron duke përdorur pajisje elektronike.

“Nuk janë përdorur mitraloza kundërajror apo topa apo armë të tjera, por pajisjet elektronike më moderne”, tha ministri serb.

I pyetur nëse ky dron ishte një provokim, Vuçeviqi u përgjigj se mendonte se “nuk ka dilemë”.

“Më falni, por ne nuk i kemi dërguar dronët tanë në territore të tjera dhe nuk kemi uzurpuar qiellin apo territorin që është nën juridiksionin e administratave të tjera aktualisht apo përgjithmonë”, tha ministri serb i Mbrojtjes.

Lidhur me këtë aksion të rrëzimit të dronit, Vuçeviqi deklaroi se kjo tregon se Serbia “nuk po tallet”.

“Ne nuk kërcënojmë askënd, nuk tundim armë dhe nuk bëjmë lojëra luftarake, por jemi të vendosur të mbrojmë pavarësinë dhe lirinë e Serbisë. Mos e provokoni Serbinë dhe le të kthehemi në tryezën e bisedimeve. Serbia është e gatshme për dialog dhe kompromis, por nuk është më një thes grushti dhe Ushtria Serbe është e gatshme të zbatojë çdo urdhër të presidentit si komandant i përgjithshëm”, shtoi Vuçeviqi.

Gjatë ditës së djeshme, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, deklaroi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka lëshuar urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake menjëherë pas, siç u tha, identifikimit të dronëve që “hyjnë në territorin e Serbisë” “nga Kosova”.

Vuçeviqi tha për televizionin publik serb RTS se, në lidhje me paraqitjen e dronëve, Vuçiqi “ka lëshuar një urdhër që çdo objekt i tillë të eliminohet ose të vihet nën kontrollin tonë”, por se avionët luftarakë MiG-29 nuk janë ngritur për shkak të dronëve, por se ata “patrullojnë qiejt”.

Sipas tij, “ushtria mund t’u përgjigjet këtyre sfidave me armë” dhe në mënyra të tjera.

SHARE