Ukrainasit të gatshëm për rezistencë: I gjithë populli do të luftojë

Nëse forcat ruse përpiqen të marrin territor në Ukrainë, ato do të përballen me një ushtri që është shumë më e vogël dhe më pak e pajisur, por e forcuar nga tetë vjet luftime.

Gati një dekadë lufte e ka lënë Ukrainën me gati gjysmë milioni veteranë me përvojë luftarake, shumë prej të cilëve tani po përgatiten për të luftuar edhe një herë, zyrtarisht ose jo.

Ky kombinim dhe shtrirja e territorit ukrainas do të thotë se edhe nëse Rusia mund t’i mposhtë forcat ukrainase në fushëbetejë tradicionale, çdo përplasje ushtarake mund të çojë në konflikt të zgjatur e të përgjakshëm.

“Ushtria ruse ka armatim e pajisje më të mira teknike, andaj mund të humbim beteja. Por ata s’mund ta fitojë kurrë shtetin nëse populli ukrainas është i motivuar”, ka thënë Serhiy Kryvonos, gjeneral i pensionuar i forcave speciale dhe ish-zëvendëssekretar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Kryvonos po udhëton në gjithë vendin duke folur me veteranët dhe organizimet ushtarake për t’u përgatitur për luftë të gjerë nëse Rusia pushton.

“Shikojeni përvojën në Afganistan. Nuk mund të mbahej as nga Bashkimi Sovjetik, as nga SHBA-ja e as nga Mbretëria e Bashkuar. Nuk mund t’i mposhtnin talebanët sepse ishin të motivuar. Forca më e madhe e tyre ishin partizanët, civilët gjatë ditës, e që më pas natën merrnin armët për të gjuajtur apo varrosur një bombë të rrugë”, ka thënë ai.

Në vitin 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë dhe forcat e përkrahura nga Rusia morën kontrollin e lindjes, ushtria ukrainase ishte degraduar sa që ushtarët s’kishin as ushqim. Në vitet pas rënies së Bashkimit Sovjetik, disiplina ishte rrënuar, sistemi i armatimit s’u mirëmbajt për disa dekada dhe pothuajse asnjë ushtar ukrainas s’kishte parë luftë.

“Ushtria ukrainase më 2014 dhe ajo sot janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme, edhe pse pa ushtri s’do ta kishim shtetin fare”, ka thënë Taras Chmut, veteran dhe analist ushtarak.

“Kishim ushtri të madhe, me shumë pajisje, por ishte e vjetër dhe në kushte jo të mira. Ushqimi s’po vinte te vijat e fronit, njerëzit po luftonin në xhinse. Edhe pajisjet bazike u mungonin, nga mbrojtjet trupore deri në ndihmën e parë e pajisjet e komunikimit”, ka thënë ai.

Sot, logjistika dhe ushtrimet janë përmirësuar dhe ushtria është zgjeruar për gati 100 mijë ushtarë, me numrat që kanë arritur në rreth 260 mijë. Chmut parashikon që me mobilizim të plotë në të cilin përfshihen veteranët dhe forcat e sigurisë mund të arrihet numri i një milionë ukrainasve pjesë e Ushtrisë. Por kur bëhet fjalë për harduer, Ukraina është ende tejet shumë e cenueshme. S’ka asnjë kapacitet detar, asnjë sistem të mbrojtjes raketore dhe sistemet e mbrojtjes kundërajrore janë kryesisht të prodhuara në Rusi, të vjetruara dhe që s’mund të riparohen pasi Ukraina s’ka ku të gjejë pjesë.

Nëse Rusia synon kontrollimin përmes qiellit, Chmut shpreh frikën se do të ketë masakra ndaj civilëve.

Kryvonosh ka thënë se qytetarët mund të përballen me masa të tjera, jo veç nga armët. Këtu ka thënë se mund të fiket rryma për të gjithë Kievin nga qendrat jashtë zonës së kryeqytetit.

Sipas tij, shteti s’ka bërë mjaftueshëm për t’i paralajmëruar qytetarët të përgatiten me rezerva në rast të nisjes së luftës.