Tragjike: Vdes edhe kosovari i katërt në aksidentin tragjik në Gjermani

Ka ndërruar jetë edhe një kosovar në aksidentin tragjik që ndodhi dje në Gjermani,

Lajmi është bërë i ditur nga Ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj e cila ka thënë se është njoftuar nga Ambasada e Kosovës në Gjermani.

Haradinaj ka thënë se MPJD dhe misionet e saj diplomatike e konsullore janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e shteteve pritëse dhe në shërbim të qytetarëve tanë kudo.

Njoftimi i plotë:

Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani kanë njoftuar që sot ka ndërruar jetë edhe shqiptari i katërt në aksidentin e rëndë në Landin e Baden Württemberg.

Në këto çaste të vështira për të gjithë ne ku për vetëm një javë u shuan tragjikisht 6 jetëra të bashkëatdhetarëve tanë, shprehim pikëllimin e thellë për të gjitha tragjeditë e tmerrshme që rënduan fatin e diasporës sonë sidomos javën e fundit, duke u shprehur ngushëllimet e sinqerta në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës.

Duke qenë të vetëdijshëm që jeta në mërgim nuk është e lehtë, dua të shprehë mirënjohjen time të thellë për të gjithë bashkëkombësit tanë në diasporë që nuk e harruan asnjëherë gjakun, atdheun, dhe kombin, dhe kështu mbesin pjesë e pandashme e jona, pavarësisht se ku ndodhen fizikisht.

MPJD dhe misionet e saj diplomatike e konsullore janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e shteteve pritëse dhe në shërbim të qytetarëve tanë kudo.