TI NESËR JE MË E RE

Ballë për ballë teje kur jam,
shumëherë nuk të shoh
me sy. Më humb andej
ku të gjeta. Nën trarët e vrarë
të shtëpisë, pas një beteje
të humbur të atdheut tim,
aty ku aroma e flokut tënd më solli,
pasi thyen qafën vrastarët
e tmerrshëm të dashurisë.

Në asnjë poezi
ende nuk të mbolla ashtu si je ti,
sepse kam frikë të zihet fryma aty,
kam frikë nuk do të kesh qiell
të fluturosh drejt meje,
druaj mbetesh pa rreze për buzëqeshje.

Nuk të lashë në varg
të mplakesh si në burg
në librin që s’e lexon kush.

Nuk dua të ndrydhesh
brenda kopertinave,
brenda kornizave,
por të shprishet gërsheti yt,
të shprushet nga fryma e jugut sërish.

Jam mbushur me ty,
nuk shkarkohem as në varr,
ti këngë pa fund e pa fillim,
ti plagë e ëmbël në kujtim.

LUMË E KRUA NË MUA
Rrjedh, ti rrjedh,
nga plasat e tokës sime del,
me grimca
të eshtrave,
të shpresave.
Rrjedh, ti rrjedh
shtratit tënd brenda meje,
nuk shndërrohesh në gjë tjetër
pos rrjedhës
ti pritja ime, ti dhimbje.
Rrjedh, ti rrjedh
nga thellësitë e virgjëra
të moskthimit tënd
që s’të sjell më kurrë tek unë.
Del, shpërthen, ti rrjedh
e s’të bëj varg të bukur të vargjeve,
sepse n’asnjë yll unë ty s’të zë.
Rrjedh, rrjedh ti me shi,
shtratit të krojeve të maleve,
bulëzave të shkëmbit,
qerpikëve të blirëve,
rrjedh e n’shpirt m’shpon kur pikon,
lot që s’tretesh stinëve.
Rrjedh, ti rrjedh me pika të gjakut
burimeve të mallit
etja ime etje,
si moti e moçme,
si moti e përgjakshme.
Rrjedh, ti rrjedh formave të çrregullta të siluetës,
as afrohesh, as largohesh,
e horizontit vija ime je ti, nuk prekesh.
rrjedh, ti rrjedh zërave arbëreshë
që n’Kosovë m’i sjell era shpesh,
rrjedh, ti rrjedh gulçeve të frymëmarrjes,
rrjedh, ti rrjedh, curril që nuk ndalesh,
lumë e krua në mua.

VDEKJA E ZOGJVE
Zogjtë vdesin
edhe kur nuk ua shkulin
puplat njerëzit,
edhe kur nuk u japin
plumba në flatra.

Ata vdesin kur lumit
ia vrasin shtratin,
vdesin sakaq
kur fëmijë ka më pak
shesheve të qyteteve.

Zogjtë janë tejet të ndjeshëm,
ata vdesin heshtjes.

Ata vdesin ikjeve,
dhimbjeve.

Zogjtë grevës së tyre vdesin.