The Times: Trupat britanike në gatishmëri për t’i çmontuar tensionet në veri 

Gazeta prestigjioze britanike “The Times” ka shkruar për zhvillimet tejet shqetësuese në veri të vendit pas sulmit terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku ka raportuar edhe se me vendimin e fundit të NATO-s për të shtuar edhe më tej praninë e KFOR-it në Kosovë do të shtohet një kontigjent i ri forcash britanike.

“The Times” shprehet se trupat britanike “qëndrojnë në gatishmëri” për të çmontuar tensionet në veri pas ngjarjeve të fundit, “që bënë që edhe Serbia të dërgojë tanke, trupa dhe artileri në kufi”.

Gazeta britanike citon shqetësimet e Shteteve të Bashkuara për grumbillimin “e paprecedent” të forcave ushtarake serbe që nga dita pas sulmeve në Banjsë, si dhe që u ka bërë thirrje autoriteteve serbe t’i largojnë trupat nga atje.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë mbrëmjen e së premtes që ka transferuar komandën e një batalioni të Ushtrisë Britanike te NATO për të përforcuar misionin paqeruajtës në Kosovë, përkatësisht KFOR-in.

“Për shkak të situatës së tanishme në Kosovë, ua bartëm komandën e Batalionit të Parë të Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit te NATO që të mund të sigurojë mbështetje nëse u kërkohet”, ka tahënë Ministria e Mbrojtjes së MB-së.

Të premtene NATO lajmëroi se ka miratuar vendimin për dërgimin e forcave shtesë në Kosovë si pasojë e ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës; ndonëse nuk specifikuan numër të saktë të shtimit të forcave.

Ministria e Mbrojtjes gjithashtu nuk konfirmoi se sa trupa britanike ishin dërguar në aleancë, por tha se “MB-ja vazhdon të luajë një rol udhëheqës në NATO, duke dhënë kontribute të konsiderueshme në operacionet shumëkombëshe”.

Shtuan se batalioni kishte “arritur së fundmi në rajon për një stërvitje të planifikuar prej kohësh”.

John Kirby, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, tha se Uashingtoni po “monitoronte një vendosje të madhe ushtarake serbe përgjatë kufirit”, e cila ishte organizuar pas përleshjeve në fshatin Banjska, pranë kufirit, të dielën.

“Kjo përfshin një organizim të paprecedentë të artilerisë së avancuar serbe, tankeve, njësive të mekanizuara të këmbësorisë,” tha Kirby.

“Ne besojmë se ky është një zhvillim shumë destabilizues. Ne po i bëjmë thirrje Serbisë që t’i tërheqë ato forca nga kufiri”.

Antony Blinken, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, i telefonoi Vuçiqit që të nxiste “de-përshkallëzimin e menjëhershëm dhe rikthimin e dialogut”, shtoi Kirby, ndërsa Jake Sullivan, këshilltari për sigurinë kombëtare të SHBA-së, foli me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Vuçiq nuk e mohoi drejtpërdrejt se kishte pasur një grumbullim të kohëve të fundit, por hodhi poshtë pretendimet se forcat e vendit të tij ishin në gatishmëri.

“Unë i kam mohuar të pavërtetat ku flitet për nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake të forcave tona, sepse thjesht nuk e kam nënshkruar këtë dhe nuk është e saktë”, u tha Vuçiq gazetarëve. “Ne nuk kemi as gjysmën e trupave që kishim dy ose tre muaj më parë.”