Temperaturat në Kosovë pritet të shkojnë deri në 38 gradë Celsius

Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se temperaturat në Kosovë pritet të shkojnë deri në 38 gradë Celsius në zona të ndryshme gjatë muajve të verës.

Megjithatë, Aliu ka thënë se parashikimet më të freskëta do t’i kenë në javët vijuese.

Gjatë ditës së sotme, Aliu ka thënë se temperaturat do të shkojnë deri në 33 gradë Celsius.

“Sasia e lagështisë së ajrit është e madhe, pra mund të ketë edhe temperatura më të mëdha sot”, ka thënë ai në emisionin “SOT” në KTV.

Ai ka përsëritur se nga ora 10 deri 17 këshillohet që të mos bien në kontakt me rrezet e diellit personat me sëmundje kronike.

Aliu ka thënë se gjatë pjesës së dytë të ditës mund të ketë reshje shiu.

Reshje shiu e shkarkime rrufesh pritet të ketë edhe gjatë së shtunës.