Të gjitha rrugët në Klinë janë të kalueshme pas reshjeve të borës

Pas reshjeve të fundit të borës, kompania e kontraktuar nga Komuna e Klinës ka nisur menjëherë punimet për pastrimin e rrugëve që janë në përgjegjësi komunale. Situata në terren po monitorohet vazhdimisht nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjente.

Sipas njoftimit zyrtar, aktualisht të gjitha rrugët në territorin e komunës janë të kalueshme dhe qarkullimi po zhvillohet normalisht. Ekipet komunale janë të angazhuara maksimalisht për të siguruar pastrimin e plotë të rrugëve dhe funksionimin normal të komunikacionit në të gjitha lokalitetet.

Pastrimi i borës po realizohet me prioritet në zonat ku nevoja është më e madhe, përfshirë fshatrat Sferkë, Qupevë, Volljakë, Shtupel dhe Gjurgjevik, ndërsa punimet do të vazhdojnë edhe në fshatra të tjera të komunës.

Nga Komuna e Klinës apelohet tek qytetarët që të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit, ndërsa drejtuesit e automjeteve këshillohen të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe rregullat e trafikut, veçanërisht në kushtet e motit dimëror.