Të bëmat dhe burgosja e Agim Ademit bëhen lajm edhe në Zvicër, në prag të miqësores me Kosovën

Në prag të miqësores që do të zhvillohet sot në Zurich ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës, gazeta e madhe zvicerane “Blick”, në të dyja versionet – print dhe online, ia ka kushtuar një artikull kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e po ashtu situatës së tensionuar të krijuar në futbollin e Kosovës javëve të fundit.

Gazeta zvicerane shkruan se para dy javësh mediat kosovare kanë shkruar se “kreu i futbollit kosovar Agim Ademi është arrestuar”.

Gjithashtu, “Blick” e përmend faktin se 59 vjeçari ishte mbajtur në polici një natë para se të lirohej.

“Ai akuzohej për një sulm fizik ndaj një punonjësi të Federatës. Pas një dite është liruar, duke i hedhur poshtë akuzat përmes rrjeteve sociale, duke insistuar se po duan t’ia dëmtojnë imazhin dhe reputacionin”, shkruan mediumi zviceran.

Po ashtu, “Blick” i ka përmendur edhe zgjedhjet që do të mbahen më 6 prill, e ku Ademi i ka bllokuar nënshkrimet, duke ua pamundësuar kandidatëve të tjerë që të konkurrojnë, përfshirë këtu edhe Gramoz Vokrrit, të birit të legjendës, Fadil Vokrri.

Tutje, mediumi “Blick” e ka përmendur edhe rastin e viteve më parë, kur Ademi ishte futur në telashe me ligjin dhe me ç’rast dyshohet se e ka kërcënuar dhe e ka sulmuar një tjetër biznesmen.

E në fund të artikullit, “Blick” iu dha hapësirë edhe deklaratave të kreut të futbollit kosovar për miqësoren e sontme ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës.

“Ne i detyrohemi dhe ndihemi borxhlinj ndaj Zvicrës, jo vetëm në aspektin sportiv. Prandaj, jemi shumë të kënaqur që do të luhet kjo lojë. Do të jetë një festë për të gjitha palët e përfshira”, ka thënë Ademi, që sipas “Blick” u përpoq t’i minimizojë trazirat që po e rrethojnë.