Sot u shënua rekord i të infektuarve për vitin 2021 (VIDEO

COVID-19 ka shënuar sot shifër rekorde të rasteve pozitive në Kosovë.

Nga 4371 mostra të marra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike janë regjistruar 873 raste pozitive, përkundër 544 të shëruarve dhe 11 raste të vdekjeve.

Prishtina është qyteti me më së shumti raste pozitive me gjithsej 372 të tilla e përcjellë nga Gjilani, Fushë Kosova, Gjakova, Mitrovica dhe Vushtrria.

Kjo ka bërë që ky të jetë numri më i madh i të infektuarve me këtë virus për vitin 2021 në Kosovë.

Në dhjetë ditët e fundit numri i të prekurve me koronavirus nuk ka zbritur asnjëherë nën 700.

Kjo rritje e madhe e rasteve me pandeminë që po përndjek gjithë globin mori hov të madh në vendin tonë për këtë vit që nga 22 shkurti, pikërisht një javë pas zgjedhjeve parlamentare.

Numri më i vogël i rasteve të regjistruara brenda tre muajve të parë të këtij viti ishte shënuar më 4 janar ku pozitivë kishin dalë vetëm 169 persona.

Ndërsa, nëntori i vitit 2020 mban rekordin e numrit më të madh të të infektuarve në Kosovë që nga paraqitja e rastit të parë.

Më 13 të atij muaji nga 2056 testime të bëra pozitivë kishin rezultuar 963 persona.