Sot i jepet lamtumira e fundit Yllka Hotit, 21-vjeçares që humbi jetën në një vetëaksident në Gjermani

Sot do t’i jepet lamtumira e fundit Yllka Hotit, 21-vjeçares nga Kosova që humbi jetën pas një vetaksidenti të rëndë në autostradën B28, në afërsi të qytetit Reutlingen në Gjermani.

Varrimi i së ndjerës do të bëhet në orën 16:00, në varrezat e fshatit Hoçë e Vogël.

Lajmin për vdekjen e saj e ka konfirmuar për Sinjalin një i afërm i familjes Hoti.

Sipas mediave gjermane, aksidenti ndodhi të enjten, kur e reja me inicialet Y.H. ishte duke udhëtuar me veturën e saj nga Metzingen drejt Reutlingen, kur dyshohet se humbi kontrollin mbi automjetin. Si pasojë, vetura doli nga rruga dhe u përmbys disa herë, duke pësuar dëmtime të mëdha.

Ajo ndërroi jetë tre ditë më vonë, të shtunën, si pasojë e plagëve të rënda që mori. Autoritetet gjermane e kanë konfirmuar zyrtarisht vdekjen e saj ditën e djeshme.

Policia gjermane ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat që çuan në këtë aksident tragjik.