Shtatore për dëshmorin Rizah Salihaj, përurohet më 20 tetor në Zabërgjë të Klinës

Në nderim të dëshmorit të lirisë Rizah Salihaj, më 20 tetor 2025, në ora 12:00, në fshatin Zabërgjë të Komunës së Klinës do të mbahet ceremonia solemne e përurimit të shtatores kushtuar atij, shkruan Klina info.

Këshilli organizativ ka bërë të ditur se ngritja e shtatores do të zhvillohet në mënyrë të organizuar, me pjesëmarrjen e familjarëve të dëshmorit, bashkëluftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe organizatave të dala nga lufta, si dhe qytetarëve të shumtë.

Sipas organizatorëve, prania e qytetarëve do të jetë një akt nderimi për sakrificën dhe heroizmin e Rizah Salihajt dhe për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ceremonia do të shënojë jo vetëm një ngjarje përkujtimore, por edhe një simbol të përhershëm të kujtesës kolektive për ata që ranë për atdheun./Klina info/