“SHKËMBIMI I TERRITOREVE” – HAZIRI THOTË SE MENDIMI I TIJ NDRYSHON NGA AI I LDK-SË

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetar i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka vazhduar të mbrojë idenë e tij për ndryshimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, edhe pse me këtë nuk pajtohet as subjekti i tij politik.

“Mendimi im për ndryshimin e kufirit mes dy shteteve ndryshon nga ai LDK-së. Mendoj se kjo do ndihmonte në pajtimin e Kosovës me Serbinë, kjo është njëra nga rrugët e zgjidhjes se problemit në mes të dy vendeve”, tha Haziri në RTK.

Sipas tij, me ndërrimin e territorit Kosova nuk do të humbiste asgjë.

“Tri komunat me shumicë shqiptare në Serbi janë peng i politikës. Ndërrimi i territorit nuk do të dëmtonte Kosovën, kjo do të ishte e mundshme me një marrëveshje dypalëshe në mes dy shteteve”, ka thënë Haziri.

Sipas Hazrit, shqiptarët si shumicë në tri komuna (Lugina e Preshevës), duhet t’i bashkohen Kosovës dhe të mos jetojnë në shtetin të cilin nuk e duan, ndërsa Leposaviqi dhe 17 fshatra, si shumicë absolute serbe, t’i bashkëngjiten Serbisë.