Shërbimi i Mehajt si ministër vlerësohet lart nga diplomatët e huaj në Kosovë

Nga 22 marsi i 2021-ës, Armend Mehaj ka qenë Ministër i Mbrojtjes i Kosovës.

Këtë të martë ai është zëvendësuar nga Ejup Maqedonci, pas dorëheqjes së paraqitur, siç u konfirmua për arsye personale/familjare.

Mehaj më nuk mban pozitën e ministrit, por puna dhe bashkëpunimi që pati ai është vlerësuar lart nga spektri diplomatik i vendeve më të fuqishme në botë.

I pari që thuri fjalë për Mehajn, pak orë pas konfirmimit të dorëheqjes së tij, ishte ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, i cili fillimisht shprehu keqardhje që Mehaj nuk do të jetë më në krye të Ministrisë së Mbrojtjes,

“Jam falënderues për kontributin e Mehajt për bashkëpunimin e Mbretërisë së Bashkuara dhe Prishtinës në fushën e mbrojtjes. I dëshiroj atij më të mirat për të ardhmen”, ka shkruar Abott.

Ngjashëm pas tij ka vepruar edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, që ia uroi Mehajt më të mirat, tutje.

“E shfrytëzojë mundësinë për të falënderuar ish-ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehajn, për shërbimin e tij, bashkëpunimin dhe partneritetin tonë të ngushtë gjatë mandatit të tij. Duke ia uruar të gjitha të mirat në objektivat e tij të ardhshëm”, shkroi Hovenier.

Më dorëshlirë në lëvdata është treguar Jorn Rohde, Ambasador i Gjermanisë.

“Faleminderit Armend Mehaj për shërbimin tuaj të përkushtuar ndaj Kosovës dhe mbi 2 vite punë të shkëlqyera të përbashkëta gjatë të cilave u intensifikua bashkëpunimi kosovar-gjerman për sigurinë dhe mbrojtjen. Më pëlqyen gjithashtu aktivitetet tona jashtë punës: hiking dhe futboll! Me siguri do të na mungojë kjo”, shkroi Rohde.

Në këtë linjë është edhe ambasadori norvegjez, Jens Erik Grøndahl, që thotë se Mehaj shërbeu me nder përsa ishte në krye të ministrisë.

“Duke shërbyer me nder si Ministër i Mbrojtjes i Kosovës për 2 vjet e gjysmë dhe për vite më parë si oficer i ushtrisë së Forcave Mbretërore Norvegjeze, jam krenar për kontributin e Armend Mehajt në sigurinë dhe stabilitetin evropian”.

Edhe Turqia, së cilës Mehaj i ndihmoi me trupa pas përballjes me tërmetin në shkurt të këtij viti, shpreh falënderim për të.

“Kemi punuar ngushtë me Mehajn për ta zhvilluar bashkëpunimin e mbrojtjes së Truqisë dhe Kosovës. Falënderim për mëbshtetjen e tej”, thuhet në reagim, duke Ii uruar sukses atij.