SHBA E SHQETËSUAR PËR SITUATËN NË VEND: KOSOVA DHE SERBIA TË ULIN TENSIONET

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë se zhvillimet e fundit rreth marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë shqetësuese dhe e vënë në rrezik progresin e rëndësishëm të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Zëdhënësi i Ambasadës Amerikane në Prishtinë, ka thënë se Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së duke u bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre të dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale.

Zëdhënësi amerikan në Prishtinë ka bërë të ditur po ashtu se për ShBA-në është përgjegjësi e të dyja palëve të garantojnë paqen dhe stabilitetin në terren. Derisa ka theksuar se Shtetet e Bashkuara kërkojnë edhe njëherë shtyrjen e zbatimit të vendimit për targa dhe formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Veprimet, të tilla si djegia e makinave ose retorika frikësuese, janë të papranueshme dhe do të nxisin një reagim të duhur nga komuniteti ndërkombëtar… Të gjithë të përfshirët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin në terren. Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë e dhunës vënë në rrezik të panevojshëm jetët e pafajshme dhe ato të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren”, ka thënë ai.

Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e një zëdhënësi të ambasadës, dhënë për Kosovapress

SHARE