Sërish dhunë në protestën për vrasjen e Rashës

Dita e tretë e protestave që pasoi vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nisi me përplasjen mes tubuesve dhe policisë në sheshin përpara Kryeministrisë.

Gurë dhe sende të forta u lëshuan në drejtim të godinës dhe kordonit të uniformave blu.

E menjëhershme ishte përgjigjia e këtyre të fundit me gazin lotsjellës. Për shpërndarjen e turmës u përdor më pas edhe makina e ujit.

Grupi protestues, mes të cilëve edhe minorenë, vijuan revoltën e tyre pranë policisë së Tiranës.

Edhe këtu është dashur përdorimi i gazit lotsjellës për shpërndarjen e tyre.

Pas saj protestuesit formuan vatra të vogla në disa rrugë të kryeqytetit duke sjelle të tjera përplasje të forta.

Kjo ishte pamja në zonën e ish-Bllokut. Më herët autoritetet kishin marrë masa për të mbrojtur vilën e diktatorit Hoxha, sot një godinë qeveritare, pas informacioneve se ajo mund të sulmohej.  

Në Bulevardin Dëshmorët e Kombit gjithashtu pasi përplasje. Nuk munguan edhe shoqërimet në komisariate.

Mësymja e protestuesve në zona të ndryshme dhe rrugicave të lagjeve u shoqërua me dëme të shumta. Semaforët dhe tabelat sinjalistike u dëmtuan sërish. Kazaneve të mbeturinave iu vu flaka.

Tv Klan