Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka përmbyllur zyrtarisht mandatin e tij pesëvjeçar, duke shprehur mirënjohjen e thellë për mikpritjen dhe bashkëpunimin gjatë qëndrimit të tij në vend.
Në një pritje lamtumire të mbajtur të mërkurën në rezidencën e tij zyrtare, Ambasadori Rohde u shpreh thellësisht mirënjohës për përkrahjen që ka marrë dhe lidhjet e forta që janë ndërtuar gjatë këtyre viteve.
“Jam thellësisht mirënjohës për pesë vite kuptimplota në Kosovë. Do ta mbaj gjithmonë në zemër këtë përvojë dhe do të mbetem i lidhur me këtë vend,” u shpreh ai para të ftuarve, transmeton IndeksOnline.
Të pranishëm në ngjarje ishin figura të shumta nga jeta politike dhe diplomatike, përfshirë Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Gjermanisë dhe ndikimin pozitiv që ka pasur Ambasadori Rohde në forcimin e këtyre lidhjeve.
“Ambasadori Rohde nuk ishte vetëm një përfaqësues diplomatik, por një mik i vërtetë i Kosovës,” tha Presidentja Osmani.
Në fjalimin e tij, Rohde përmendi me emocion mikpritjen e popullit kosovar, pasionin për ecjen në male dhe lojërat futbollistike me kolegë dhe miq. Ai përmendi gjithashtu fitoren e fundit të ekipit kombëtar të Kosovës kundër Suedisë, duke theksuar pjesëmarrjen e lojtarëve të lindur në Gjermani si simbol i lidhjes së dy vendeve.
Ambasadori gjithashtu vlerësoi liberalizimin e vizave në vitin 2024 si një hap të rëndësishëm drejt integrimit evropian, duke përmendur me krenari rolin e diasporës kosovare në Gjermani, nga sipërmarrësit te artistët dhe politikanët, si ura të forta bashkëpunimi mes dy shteteve