Reagon Komuna e Klinës për rrugën në Stapanic, investime të njëjta janë bërë edhe nga qeverisja e kaluar

Reagim ndaj shkrimit të publikuar në medie lidhur me shkrimin se Komuna e Klinës ka asfaltuar rrugët në territorin e Komunës së Malishevës

Komuna e Klinës, për hirë të transparencës, llogaridhënies dhe korrektësisë së vazhdueshme që ka treguar dhe vazhdon të tregojë me media dhe veçanërisht ndaj qytetarëve të cilët janë taksapagues dhe financues të projekteve që realizohen në Komunën e Klinës, reagon ndaj shkrimit me titull “Kryetari i Klinës nuk i di kufijtë e qytetit: Shtron asfalt në territorin e Malishevës”, të publikuar nga PDK-dega në Klinë dhe në media online.

Komuna e Klinës shfrytëzon rastin që të njoftojë publikun, veçanërisht qytetarët e Komunës së Klinës, se sipas vendimit për shpalljen e Malishevës Komunë, territori i fshatit Stapanic, ku edhe është bërë rregullimi i asfaltit në disa segmente rrugore, është ndarë në dy pjesë administrimi.

Njëra pjesë e administruar nga Komuna e Klinës dhe një pjesë nga Komuna e Malishevës. Rrjedhimisht një pjesë e fshatit ku është bërë asfaltimi i segmenteve rrugore është në territorin e Komunës së Malishevës, ndërsa banorët e kësaj lagje me dokumente të identitetit janë banorë të Komunës së Klinës, konkretisht fshatit Gllarevë që është fshat i Komunës së Klinës.

Për hirë llogaridhënies ndaj qytetarëve, dëshirojmë të sqarojmë, se Komuna e Klinës, respektivisht Kryetari Elezaj, me kujdes të veçantë ka dëgjuar dhe shqyrtuar kërkesat e arsyeshme dhe të vazhdueshme nga ana e banorëve të këtij lokaliteti për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe ngritjes së mirëqenies të këtyre qytetarëve të lënë anash të Komunës së Klinës dhe gjithashtu vendimin për asfaltimin e këtyre segmente rrugore është marrë duke pasur parasysh po ashtu edhe nevojën e domosdoshme për rregullimin e segmenteve rrugore që janë shumë afër shkollës së fshatit, ku vijojnë edhe nxënësit e Komunës së Klinës.

Sa i përket pretendimit se Komuna “asfalton afërsisht 400 metra rrugë në këtë fshat që i përket Komunës së Malishevës, duke keqpërdorur afërsisht 50.000 euro nga buxheti i taksapaguesve të Klinës”, dëshirojmë të sqarojmë mediet dhe qytetarët se konstatimi është tërësisht i pavërtetë dhe tendencioz.

Kjo sepse vlera e investimeve sipas kontratës e cila është publike është prej: 14 675. 69 euro, e jo 50 000 euro siç pretendohet.

Duhet theksuar se të gjitha kontratat e lidhura me Operatorët Ekonomik publikohen vazhdimisht në ueb faqen zyrtare të Komunës së Klinës dhe janë të qasshme si për qytetarët ashtu edhe për gazetarët, OJQ-të etj.

Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, zotohet se do të vazhdojë të i shqyrtoj kërkesat e qytetarëve dhe se do të angazhohet me përkushtim maksimal në realizimin e projekteve të rëndësishme për ngritjen e cilësisë dhe mirëqenies së qytetarëve, duke pasur gjithmonë parasysh llogaridhënien dhe transparencën për çdo projekt të realizuar dhe çdo cent të shpenzuar.

Me qëllim të informimit të drejtë dhe jo tendencioz, sqarojmë qytetarët se Komuna e Klinës ka bërë investime të natyrës së njëjtë në po të njëjtin fshat edhe gjatë qeverisjes së kaluar të ish Kryetarit Komunës, i cili është pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, parti e cila ka ngritur këtë çështje.

Konsiderojmë se përpjekjet e tilla për të krijuar ndasi në mes të qytetarëve nga PDK-Dega në Klinë, e dëmtojnë direkt qytetarin në kohën kur do të duhej që të gjithë të i gëzohemi secilit investim që është në dobi të qytetarëve.