Rasti ku Skënder Hyseni po akuzohet për mosdeklarim të pasurisë, pse dështoi dje seanca

Në mungesë të avokatit Fatlum Podvorica, i cili nuk ka mundur të jetë i pranishëm për shkaqe shëndetësore, ka dështuar të mbahet seanca në rastin ku Skender Hyseni, ish-ministër i Jashtëm i Kosovës po akuzohet për mosraportim të pasurisë.

Lidhur me mungesën e avokatit Podvorica, gjykatësi Sabit Sadikaj ka thënë se, sot ( 8 shtator 2023) e ka njoftuar gjykatën se për shkak të gjendjes shëndetësore nuk mund të jetë i pranishëm, ku ka kërkuar që e njëjta të shtyhet.

Lidhur me gjendjen e tij, gjykatësit Sadiku, avokati Podvorica i ka ofruar dëshmi përkatëse, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Andaj në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e këtij shqyrtimi gjyqësor i njëjti u shty, ndërsa seanca e radhës u caktua më 26 tetor të këtij viti.

Lidhur me prezencën e avokatit Podvorica, i akuzuari Hyseni deklaroi se do ta njoftoj dhe nuk është nevoja t’i dërgohet ftesë.

Ndryshe, të pranishëm në seancën e sotme ishin, prokurori Besart Mustafa, i pandehuri Hyseni si dhe përfaqësuesja e Agjensionit për Parandalim të Korrupsionit Lendita Ademi.

Lidhur me këtë rast, më 12 gusht 2023, Apeli kishte refuzuar kërkesën e prokurorit Besart Mustafa për përjashtimin e gjykatësit Sabit Sadikaj nga kjo çështje, pasi një kërkesë të tillë kishte bërë prokurori Paulin Pashku gjatë shqyrtimit gjyqësor të datës 7 qershor 2023.

Ndryshe, lidhur me ngritjen e kësaj aktakuze ndaj tij, në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, Hyseni kishte deklaruar se aktakuza është e paqëndrueshme dhe se është i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së përpiluar në dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkon Hysenin se në formularin për deklarim të pasurisë nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara, duke mos deklaruar një veturë të tipit “Volksëagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.

Sipas aktakuzës së ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë rezulton se më 14 gusht 2020 në Prishtinë, Skender Hyseni po akuzohet se në cilësi të zyrtarit të lartë publik – Koordinator Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, me dashje nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë me rastin e marrjes së detyrës Koordinator Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, të dorëzuar në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK).

Aktakuza thotë se Hyseni nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Volksëagen”, viti i prodhimit 2013, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Skender Hyseni se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal, ku kreysi dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. Gjobat e shqiptuara sipas këtij neni mund të jenë ditore dhe mund të shqiptohen derisa kryesi të përfill urdhrin, vendimin apo aktgjykimin e plotfuqishëm që është subjekt i veprimit.