Rashiq kundër shpalljes së Listës Serbe organizatë terroriste

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka thënë se është kundër shpalljes së Listës Serbe si organizatë terroriste dhe largimin e saj nga jeta politike.

Politikani serb i Kosovës mendon se Lista serbe duhet larguar nga skena politike në një tjetër mënyrë.

“Edhe pse nuk jam jurist dhe nuk mund të flasë në emër të organeve kompetente, unë nuk jam për përjashtimin e Listës Serbe sepse konsideroj se ajo duhet të rrëzohet në aspektin politik, ashtu siç e meritojnë”, ka deklaruar Rashiq në një intervistë për Telegrafin.

Rashiqi thotë se rënien e Listës Serbe e dëshiron përmes zgjedhjeve e jo përmes veprimeve institucionale.

“Dëshira ime është që vet populli serb në veçanti të kuptojnë se kush janë njerëzit e Listës Serbe, dhe t’i dënojnë ata me vota, ti dënojnë me përjashtim nga jeta politike ashtu siç e bën populli gjithmonë”.

Politikani serb i Kosovës megjithatë thotë se Lista serbe nuk mund t’i ik përgjegjësisë.

“Pavarësisht se tash nga Lista Serbe mund të dorëhiqet ndonjë person, në momentin kur ka ndodhur ngjarja ata kanë qenë pjesëmarrës e madje udhëheqës të partisë. Unë jam për të marrë përgjegjësi por nuk jam për të shpallur atë me ndonjë statut tjetër”, ka deklaruar ndër të tjera Nenad Rashiq.