Raportimi për kërcënim ndaj infermieres në QKMF-në e Klinës, reagon familjarja e pacientes: E kundërta ka ndodhur!

Pas publikimit të lajmit nga Klina info lidhur me një incident të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në objektin e QKMF-së në Klinë, ku një infermiere raportoi se ishte sulmuar verbalisht dhe kërcënuar nga disa persona të panjohur, ka reaguar njëra nga palët e përfshira në rast.

Një qytetare, emri i së cilës është i njohur për redaksinë tonë, ka kontaktuar klina.info për të sqaruar se versioni i ngjarjes i paraqitur nga infermierja nuk qëndron dhe se personi që ajo pretendon se e ka kërcënuar është nëna e saj, një 55-vjeçare që kishte shkuar në ambulancë për të marrë një injeksion të përshkruar nga mjeku.

Sipas saj, gjatë procedurës në dhomën e injeksioneve, situata eskaloi për shkak të një komunikimi të ftohtë dhe sjelljeje që ajo e cilëson si arrogante nga ana e infermieres. Në deklaratën e saj për redaksinë, ajo shpjegon se

Reagimi i saj i plotë:

Përshëndetje,

Lidhur me lajmin që keni publikuar se një infermiere është “sulmuar” verbalisht, dua të sqaroj se kjo nuk është e vërtetë – jo nga ana juaj si media, por nga ana e zonjës në fjalë, pavarësisht se ajo vërtet ka hapur një rast në polici.

Personi që ajo pretendon se e ka kërcënuar është nëna ime, 55-vjeçare, e cila mbram ishte e shoqëruar nga motra dhe tezja ime. Ajo kishte shkuar në ambulancë për shkak të një infeksioni në sy. Mjeku ia përshkroi një injeksion dhe i tha të shkonte në dhomën tjetër ku do t’ia aplikonin.

Kur arritën aty, ishin dy infermiere, pa pacientë, duke përdorur telefonat dhe as nuk përshëndetën. Nëna ime ua dorëzoi letrën për injeksionin. Infermierja në fjalë i tha se fillimisht duhej të paguante 1 euro, ndryshe nuk do ia jepte injeksionin. Motra ime e pagoi menjëherë. Gjatë përgatitjes së injeksionit, tezja ime e pyeti thjesht çfarë lloj injeksioni ishte, për arsye se nëna ime ka edhe probleme me shtypje gjaku. Infermierja u përgjigj në mënyrë arrogante duke thënë: “Shko pyete doktorin, unë s’merrem me këtë punë.”

Nëna ime nxori telefonin për të fotografuar ampulën dhe letrën, në mënyrë që t’ia tregonte doktorit. Infermierja i reagoi fizikisht duke ia kapur duart nënës sime, i shtrëngoi për pak kohë dhe më pas refuzoi t’ia jepte injeksionin. Më pas, erdhën infermierë të tjerë, të cilët kërkuan nga nëna ime që të shkonte në një dhomë tjetër, sepse ajo zonja refuzonte kategorikisht ta kryente detyrën e saj.

Për gjithë këtë situatë ka tre dëshmitarë okularë, përfshirë edhe sigurimin e klinikës, i cili ka parë gjithçka. Nëse ai do të tregojë apo jo, kjo mbetet për t’u parë – ndoshta nga frika për vendin e punës.

Zonja infermiere jo vetëm që pati një sjellje shumë arrogante, por tregoi edhe gatishmëri për dhunë verbale dhe fizike ndaj një pacienteje që është 15–20 vjet më e madhe në moshë se ajo. Ajo refuzoi të kryejë detyrën e saj dhe e trajtoi nënën time me një mungesë të plotë respekti.

Nëna ime do të procedojë me padi për sulm fizik. Gjithashtu, sot do t’i drejtohem Odës së Mjekëve me një shkresë zyrtare, si dhe do ta njoftoj edhe vetë klinikën familjare në Klinë për këtë sjellje të papranueshme.

Nuk po ju akuzoj juve si media për asgjë – e keni publikuar lajmin bazuar në faktin që zonja ka paraqitur një padi. Por, për hir të së vërtetës, dua të theksoj se asgjë nga pretendimet e saj nuk është e saktë.