Qeveria në detyrë miraton vendime për shpronësime, fokus te rruga transit Klinë–Gurakoc

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të premten, ka miratuar disa vendime që lidhen me shpronësime për interes publik.

Në kuadër të këtyre vendimeve, është aprovuar vendimi preliminar për shpronësimin e pronave të paluajtshme ish-shoqërore të ndërmarrjes shoqërore të industrisë së mobilieve “Përparimi”, si dhe i pronave private, për nevoja të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar projektit “Ndërtimi i rrugës transit në Klinë, nga N9 deri në R-104 – Klinë–Gurakoc”, për të cilin Qeveria ka miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i këtij projekti.

Sipas Qeverisë, realizimi i këtij projekti infrastrukturor pritet të ketë rëndësi të veçantë për komunën e Klinës, duke kontribuar në lehtësimin e qarkullimit rrugor dhe në nxitjen e zhvillimit ekonomik në zonën e Klinë–Gurakoc.