KLINËS DO T’I SHTOHET EMERGJENCA DHE NJË SHTËPIE PËR TË MOSHUAR

Gjatë këtij viti, komunës së Klinës do t’i shtohet emergjenca e cila me ndihmën e donatorëve do të ndërtohet afër QKMF-së. I pari i kësaj komune, Zenun Elezi, në një bisedë për Radio Kosovën tha se plan për këtë vit kanë edhe ndërtimin e një shtëpie për të moshuar. Ndërkohë, ai tha se kanë ndarë buxhet edhe për furnizim me ujë të pijshëm. Sfidë kryesore e kësaj komune mbetet buxheti i vogël sipas kryetarit Elezi.

Elezi: Janë projekte infrastrukturore ku disa prej tyre janë në vazhdimësi e sipër, por do të ketë edhe projekte të natyrës infrastrukturore e mjedisore. Bashkë me kompaninë rajonale “Hidrodrini” jemi në një projekt që është në procedura të prokurimit e fatkeqësisht ka ankesa në OSHP, ndërsa procedurat e prokurimit po i udhëheqë kompania rajonale “Hidrodrini”, për ndërtimin e parafiltruesit e cila është një nyje e rëndësishme për furnizimin e ujit të pijes në qytetin e Klinës. Do të vazhdojmë edhe me rregullimin e shtratit të lumit në veri të Klinës, ku do të ketë rregullim të liqenit akumulues, shëtitore dhe shteg për biciklista, pra do të jetë një mjedis atraktiv, si dhe projekte tjera.

R.Kosova: A do të zgjidhet çështja e ujësjellësit pasi që në Klinë disa fshatra ende përballen me probleme të furnizimit me ujë?

ELEZI: Është një buxhet i planifikuar për zgjedhjen e këtij problemi, për 100 litra në sekondë gjatë vitit 2022 ujë të pijes.

R.Kosova: Sa është buxheti i ndarë për komunën e Klinës dhe a do të ketë kapacitet për të realizuar këto projekte të planifikuara?

ELEZI: Buxheti është rreth 11 milion euro dhe është një buxhet asnjëherë i mjaftueshëm por, buxhet modest ku ne mbi bazën e mundësive buxhetore kemi bërë edhe planifikimin e projekteve për implementim.

R.Kosova: Cilat janë planet e komunës së Klinës për shëndetësinë dhe arsimin?

ELEZI: Në shëndetësi kemi bërë investime të mëdha në kuptim të rregullimit të mjedisit të punës të QKMF, pastaj të gjitha ambullantave nëpër fshatra dhe kemi plane ende. Kemi bërë bisedime edhe me donatorë, do të ndërtojmë emergjencën që do të jetë një objekt afër QKMF, pastaj do të ndërtojmë edhe shtëpinë për të moshuar i cili është buxhetuar në projekt dy vjeçar. Ndërsa në arsim do të kemi investime të mëdha në shkolla përmes Agjencionit për Efiçiencë e cila ka kuptim izolimin e shkollave dhe ndërtimin e nxemjeve qendrore eficiente. Realisht do të ketë investime në një shkollë në Gllarevë, mbi 500 mijë euro pothuajse janë nën prag të fillimit të punimeve, do të bëhen investime nga Komisioni Evropian dhe në të gjitha shkollat pastaj do të ketë mirëmbajtje të objekteve.

R.Kosova: Çka konsideroni si sfidë për qeverisjen komunale për vitin 2022?

ELEZI: Realisht pandemia mund të jetë një sfidë por, shpresojmë se po shkon drejtë fundit. Përndryshe sfidë është edhe jeta e përditshme e angazhimi i përditshëm. Normal që mundësitë buxhetore nuk janë të atilla që t’i tejkalojmë të gjitha kërkesat e qytetarëve por, do të punojmë mbi bazën e buxhetit që kemi dhe të maksimizojmë këtë buxhet.

Autor: Arbenita Marmullaku RTK