Qendra e Studentëve ka nevojë për konvikte të reja

Qendra e Studentëve edhe këtë vit ka pranuar banorët e saj të rinj. Këtë vit në konviktet e Qendrës së Studentëve janë pranuar 4 mijë studentë ndërsa në Mensë do të ushqehen 6500.

Në QS përveç ushqimit dhe strehimit, studentët do të kenë mundësi që të studiojnë por edhe të merren me aktivitete sportive.

Drejtori i Qendrës së Studentëve Fatmir Sfishta thotë se të gjithë ata që dëshirojnë të jenë pjesë e QS duhet të jenë studentë të rregullt në UP, të jenë më larg se 25 metra nga kryeqyteti dhe kriter kryesor është nota mesatare e cila duhet të jetë e lartë.

Sfishta: Aplikimi për konvikt dhe mensë është i përbashkët

“Kanë aplikuar 6500 studentë, 4000 i kem kapacitetet tash që janë të pranuar në konvikte, mirëpo këtë vit edhe ata 2500 studentë që nuk kanë mundur të pranohen në Qendrën e Studentëve u është dhënë mundësia që të ushqehen në Mensën e Studentëve, pra 6500 studentë ushqehen në Mensë kurse 4000 qëndrojnë në konvikte”, tha Sfishta për KosovaPress.

Drejtori i QS ka folur edhe rreth raportimeve që studentët i shesin dhomat e tyre duke thënë se ata që tentojnë të praktikojnë një gjë të tillë e humbin të drejtën për të qenë pjesë e QS dhe automatikisht futen në lista të zeza në mënyrë që edhe vitet e ardhshme të mos pranohen.

Drejtori Sfishta thotë se ka interesim të madh për t’u bërë banor i konvikteve e për këtë para dy vjetësh ka filluar ndërtimi i një konvikti të ri por që është ndërprerë pasi që komuna e Prishtinës nuk ka lëshuar leje.

Sfishta: Komuna nuk e ka dhënë lejen për ndërtimin e konviktit të ri

“ E kemi pas një pronë e cila është e Fakultetit Teknik, dhe e cila është ekskluzivisht për ndërtimin e një konvikti, por kemi disa paqartësi me Kuvendin Komunal të Prishtinës, gjegjësisht me drejtorin e pronës të cilat ende nuk janë zgjedhur. Jemi në përpjekje e sipër dhe po presim. Kemi mjete buxhetore edhe vitin e ardhshëm që të bëhet ndërtimi i konviktit të ri, shpresojmë që zyrtarët e Kuvendit Komunal të na ndihmojnë ta zgjidhim këtë çështje në mënyrë që të fillojë ndërtimi i konviktit të ri i cili është i domosdoshëm për nivelin e konkurrencës që është në Qendrën e Studentëve”, tha Sfishta.

Nga ana tjetër studentët shprehen të kënaqur me kushtet në Qendrën e Studentëve.

Kosovare Gashi, e cila qe tri vjet banon në QS shprehet e kënaqur nga banimi në konvikt dhe nga ushqimi që i ofrohet në mensë.

Gashi- Krahasuar me pagesën kushtet në Konvikt janë shumë të mira

“Kushtet në konvikt janë shumë të mira në krahasim me çmimin e volitshëm që është për ta paguar në muaj, janë të mira dhe ushqimi në mensë është në rregull, kemi ushqime të llojeve të ndryshme, përgjithësisht kushtet janë të mira”, thotë Gashi.

Ndërsa Venera Shumolli nga Ferizaj tha për KosovaPress, se nuk ka hasur në asnjë problem gjatë regjistrimit në konvikt dhe në përgjithësi kushtet janë shumë të mira.

Shumolli: Jam duke kaluar shumë mirë në Qendrën Studentore

“Kushtet në konvikt janë shumë të mira gjithashtu edhe në mensë ushqimi është shumë i mirë. Nuk kam has në asnjë problem dhe jam duke kaluar shumë mirë”, tha Shumolli.

Edhe këtë vit ka lehtësime për kategoritë e luftës, si dhe për studentët me gjendje jo të mirë ekonomike.

SHARE