Policia bastis një lokal në Pejë, 23-vjeçari kapet mat me drogë

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike,

Për një rast të tillë që është zbuluar mbrëmë në Pejë, Prokuroria ka nisur hetimet.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se Policia e Kosovës, Departamenti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në koordinim me Prokurorinë kanë kryer mbrëmë një bastisje në një lokal ku zhvillohen lojëra biliardi në Fidanishte.

Gjatë kontrollit, një 23-vjeçarit i është gjetur dhe sekuestruar në sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.