Komisioni Evropian ka propozuar krijimin e një baze të dhënash për kilometrazhin e regjistruar në automjete gjatë kontrollit teknik, e cila do të ndahej nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.
Nga Brukseli po avokonin për këtë masë, e cila do të ndihmonte në luftën kundër manipulimit të kilometrave.
Bëhet e ditur se Komisioni Evropian ka propozuar edhe një paketë të re masash që synojnë përmirësimin e sigurisë rrugore, uljen e ndotjes së trafikut dhe luftimin e mashtrimeve të ndryshme që lidhen me automjetet.
Rregullat e reja të propozuara përfshijnë një regjistër të përbashkët të kilometrazhit midis vendeve anëtare për të luftuar manipulimin dhe “përtëritjen” e rreme të automjeteve të caktuara kur ato dalin në tregun e përdorur me qëllim të mashtrimit të blerësve.
Disa vende të BE-së tashmë regjistrojnë kilometrazhin në bazat e të dhënave kombëtare, përcjell Telegrafi.
Ky është rasti në Belgjikë, sistemi i së cilës Car-Pass përfaqëson një pikë referimi në këtë fushë, sepse shitësi i një veture të përdorur duhet t’i sigurojë blerësit këtë dokument, të përditësuar në çdo kontroll teknik.
Në Francë, kilometrazhi i automjetit regjistrohet gjithashtu gjatë çdo kontrolli periodik të detyrueshëm.
Shitësi mund t’ia japë këtë informacion blerësit nëpërmjet një lidhjeje në bazën e të dhënave zyrtare në internet të automjetit të tyre, megjithëse kjo është opsionale.
Raportohet se në fillim të vitit 2024, kur Belgjika sapo mori presidencën e institucionit për gjashtë muaj, disa nga përfaqësuesit e saj zyrtar paraqitën idenë e zgjerimit të Car-Pass në të gjithë Bashkimin Evropian.
Në praktikë, çdo shtet anëtar i BE-së do të jetë i detyruar të regjistrojë gjendjen e kilometrazhit të automjetit në bazën kombëtare të të dhënave.
Ky informacion do të transferohej më pas në një bazë të dhënash evropiane sa herë që automjeti regjistrohet.
Ky informacion më pas do të jetë i disponueshëm për autoritetet (apo edhe për çdo blerës të mundshëm) nga ndonjë prej 27 vendeve të BE-së.
Ndryshe, lufta kundër mashtrimit me kilometrazhin është e rëndësishme nga pikëpamja e mbrojtjes së konsumatorit, por edhe për konkurrencën e ndershme në tregtinë e automjeteve.
Kjo do të ndihmojë në reduktimin e manipulimit gjatë shitjes së automjeteve të përdorura.
Ashtu si masat e tjera të propozuara, edhe ky propozim po përballet me procedura të gjata parlamentare para Parlamentit Evropian dhe Këshillit. /Telegrafi/