PDK-në në Klinë e kapë kriza, të pakënaqur me rizgjedhjen e Sokol Bashotës në krye të kësaj dege

Partia Demokratike e Kosovës të dielën ka mbajtur kuvendin zgjedhor në komunën e Klinës. Megjithë kundërshtimet brenda partiake dhe akuzat për sabotazh në zgjedhjet e fundit lokale për bashkëpartiakët nga kandidati për kryetar të komunës, Sokol Bashota, kryetar i saj është rizgjedhur edhe për 4 vite të tjera ky i fundit.
Bashota në një intervistë në mediet e shkruara kosovare, para disa ditësh, ka theksuar se tashmë ka kaluar problemet brendapartiake edhe me ata që e sabotuan në zgjedhjet e fundit lokale, të cilat PDK i humbi.
Por duket që një deklaratë e tillë nga ish kryetari i Klinës nuk është e saktë, sikur edhe shumë të tjera. Më herët, ish nënkryetari i komunës së Klinës dhe PDK-së, Ramiz Rrusta, kishte dhënë dorëheqje nga kjo parti duke kaluar në AAK. Duke ia shtuar edhe faktin se njerëzit kryesorë për shumë vite në PDK nuk kanë kandiduar për këshillin drejtues të kësaj dege.
Ndër ta janë Esat Raci, ish sekretar i degës së PDK-së në Klinë dhe zëvendësministër i Zhvillimit Rajonal, Hajdin Morina, ish drejtor i Arsimit në Klinë, Enver Marmullaku, Haxhi Ibishi, ish kryesues i Kuvendit, që kishte shfaqur ambiciet për kandidat për kryetar të degës së PDK-së në Klinë, Qamile Qitaku, Tom Quni dhe figura të tjera që për vite kanë dhënë kontribut në interes të kësaj partie.
Klina.info merr vesh se kjo është bërë nga pakënaqësitë që janë shfaqur brenda partisë për ndikimin e madh që ka Sokol Bashota në të dhe mosdhënien e hapësirës për të rinjtë që të shfaqin ambiciet e tyre dhe të kyçën në pozita drejtuese të kësaj partie.
Në listën me emra të anëtarëve të këshillit drejtues, ka dy e më shumë perona nga një familje, mund të shihni se zgjedhjet kanë shkuar në baza familjare.q