PAVARËSISHT THIRRJEVE TË QEVERISË QYTETARËT NË KLINË NUK U NDALËN, THONË SE DUAN TË FURNIZOHEN

Të gjithë qytetarët që ia mësynë qytetit të Klinës gjatë së shtunës u kthyen mbrapsht nga njësitet policore, në hyrje të kësaj komune.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për mbylljen e të gjitha hyrje-daljeve të kësaj komune për qytetarët, megjithatë, ka nxitur reagimin e shumë prej tyre.

Edhe pse bizneset në këtë komunë ishin të mbyllura, në qendrën e qytetit të Klinës vazhdoi insistimi i qytetarëve të kësaj komune për lëvizje.

Për mosrespektimin e këtij vendimi, qytetarët e Komunës së Klinës thonë se e kanë të nevojshme daljen për t’u furnizuar me barna, derisa nuk mund të izolohen tërësisht.

Për shqetësimet e qytetarëve, kryetari i kësaj komune Zenun Elezaj, thotë se janë duke shqyrtuar çdo mundësi që ua lejon lëvizjen qytetarëve për furnizime, raporton KOHA.

Ndërsa shton se pushteti qendror nuk është treguar bashkëpunues në këtë situatë me komunën që ai udhëheq.

Elezaj tha se përpos rastit të konfirmuar gjatë së premtes, në Komunën e Klinës nuk ka raste të tjera që kanë shfaqur simptoma të virusit Covid19.

Ndërsa shtoi se qytetarët e kësaj komune duhet të pajtohen me vendimin e Qeverisë për vetizolim si dhe të mos krijojnë panik në publik deri në tejkalimin e situatës.