Pandemia në Kosovë, çdo ditë mbyllen së paku dy biznese

Ekonomia kosovare është duke kaluar në  turbulencën më të thellë që nga paslufta, për të cilën asnjëherë as ndërmarrësit, e as institucionet shtetërore nuk janë ballafaquar me këto probleme ku burimi kryesor i këtyre krizave është pandemia COVID-19.

Rreth pesë mijë biznese pritet që të mbyllen dhe shuhen  gjatë këtij viti në Kosovë si pasojë e pandemisë COVID-19.

Deri më tani, sipas statistikave të ASK-së që nga muaji prill deri në muajin qershor janë mbyllur zyrtarisht 150 kompani, që i bie mesatarisht nga dy biznese të mbyllen çdo ditë.

Mirëpo, këto statistika nuk janë reale. Sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, në realitet numri i bizneseve të mbyllura është 10 herë më i madh se ai i statistikave të raportuara nga institucionet shtetërore.

“Statistikat që tregojnë prej institucioneve shtatore janë ato që janë mbyllur zyrtarisht ato janë 10 herë me pak se ato që kanë pushu aktivitetin e vet dhe nuk gjenerojnë të hyra për shtetin me muaj të tërë”, thotë ai.

Sektorët e bizneseve që janë mbyllur si pasojë e pandemisë, sipas Shahinit, kryesisht kompani që kanë pushuar aktivitetin e vet janë ato që merren me transport, që merren me gastronominë, me hotelerinë si dhe disa kompani përpunuese por edhe shërbyese.

“AKB e vlerëson se këtë vit do të kemi numërim më të madh të bizneseve të mbyllura, të bizneseve të shuara dhe të pushuara. Mbyllja e bizneseve në Kosovë është tepër e rëndë dhe shumë biznese e kanë mbyllur aktivitetin e vet dhe nuk kanë ndjekur procedurat për ta mbyll zyrtarisht. Prandaj aleanca e vlerëson se nëse shkon ky trend deri në fund të vitit ne mund të kemi të mbyllura më shumë se pesë mijë kompani dhe kjo është tepër shqetësuese për vendin dhe institucionet e vendit”, deklaron Agim Shahini.

Edhe Oda e Afarizmit të Kosovës është shumë e shqetësuar për rënien e vazhdueshme të numrit të bizneseve, e cila po vjen si rezultat i rritjes së vështirësive të të bërit biznes në Kosovë.

“OAK është e shqetësuar për mos reagimin e shpejtë të institucioneve të vendit në përputhje me situatën ashtu siç kanë vepruar të gjitha shtetet evropiane dhe te rajonit. Kjo situatë e ka sjellë edhe rënien e numrit të bizneseve dhe rritjen e papunësisë edhe ashtu ekstrem e madhe në krahasim me numrin banorëve në moshë pune”, është shprehur kryetari i OAK-ut, Skender Krasniqi

Krasniqi u shpreh shumë i shqetësuar me mos reagimin e Parlamentit dhe Qeverisë, ku sipas tij kjo do të sjellë një katastrofë më të madhe se pandemia globale.

“OAK në kontinuitet i ka bërë dhe i bënë thirrje Parlamentit dhe Qeverisë që të zgjohen nga gjumi i rëndë dhe injorimi i madh që janë duke ja bërë situatës dhe të reagojnë me shpejt dhe në përputhje më nevojën që kanë bizneset, përndryshe katastrofën që janë duke e sjellë parlamenti dhe qeveria do të jetë shumë me rëndë se pandemia globale”, u shpreh ai.

Gjatë periudhës prill-qershor të 2020-s saktësisht janë shuar 146 ndërmarrje.

Numri ma i madh është në kryeqytet, gjithsej 25 ndërmarrje të shuara, pasuar nga Prizreni me 22 ndërmarrje të shuara, shkruan Buletini Ekonomik.

Kështu bëhet e ditur në Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë për tremujorin e dytë (TM2) 2020, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Ndërsa pjesa më e madhe e ndërmarrjeve të shuara janë marrë me tregti me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave.