Pacolli i bindur se data për vizat jepet në takimin e Parisit

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, pas kthimit nga Samiti i Berlinit, ka folur për takimin e radhës të liderëve të Ballkanit Perëndimor që është thirrur në Paris.

Ky takim pritet të mbahet pas takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme që në një mënyrë mund ta përcaktojnë edhe datën e liberalizimit të vizave për kosovarët.

“Për mua, ka qenë shpresëdhënëse krejt situata që diçka po lëviz sa i përket vizave sepse secili në Samitin e Berlinit e ka parë që Kosova nuk mund të mbetet pa liberalizim të vizave”.

“Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe kjo është thënë disa herë nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe secili ka dhënë shenja në mimikën e tyre se është kështu”.

Ai në Zona B të Klan Kosovës ka thënë se beson se në javën e parë të qershorit mund të ketë një takim pikërisht për këtë çështje.

“Unë mendoj që do të jetë java e parë e qershorit, por mund të ndodhë që më ka ik ky detaj dhe vjen 1 korriku. Kjo datë nuk është përmend si datë, por është përmendur që duhet të jetë para Samitit për Ballkanin Perëndimor që pritet të mbahet në Poloni”.

“Kur jemi përshëndetur me presidentin francez Emmanuel Macron, unë kam qenë afër kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ai na tha ‘për disa javë do të shihemi prapë’”.

Pacolli ka komentuar edhe takimin që ai dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë pasë gjatë ditës me Ministrin e Brendshëm të Gjermanisë, Horst Seehofer.

“Prej muajit tetor, kam pasë shumë takime në Gjermani dhe kam punuar në mënyrë të detajuar me anëtarët e Parlamentit të Bundestagut, me Grupet Parlamentare dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme”.

“Takimi i sotëm ka qenë si rrumbullakësim i krejt kësaj pune që është bërë. Sot isha i lumtur që krejt ky mund që është bërë nuk do të shkojë huq”.

“Me kryeministrin patëm një vizitë me Ministrin e Punëve të Brendshme.i cili ka qenë jashtëzakonisht i hapur me ne. Kishim një takim miqësor me të ku tha se sa i përket vizave ‘ne jemi miqtë tuaj dhe Bayerni gjithmonë ka pasë këtë rol’ dhe ‘ju nuk duhet të hidhëroheni për këtë që ka ndodhur sepse kjo nuk ka lidhje me ju, por është për shkak të problemeve të brendshme qe kemi pasë’.

Ministri i Punëve të Jashtme ka thënë se në këtë takim i është konfirmuar se puna e vizave është çështje e kryer.

“Ai tha se ditëve të ardhshme do të dërgojnë një delegacion që duhet të punojë në disa çështje me neve derisa tha se shumë shpejt edhe një delegacion kosovar do të udhëtojë për në Berlin. Sipas tij, kjo është përmbyllja e punëve që na kanë mbetur pa u kryer”.

Pacolli nuk e ka dhënë një datë se kur kosovarët mund të lëvizin pa viza, por ka thënë se një gjë e tillë mund të përcaktohet në takimin e ardhshëm në Paris.

“Ka qenë debat i rëndë në Samitin e Berlinit dhe në një mënyrë Evropa është ndjerë fajtore në këtë drejtim sepse kancelarja Angela Merkel dhe presidenti Emmanuel Macron kanë dhënë një shpjegim”.

“Presidenti Macron ka dhënë një shpjegim se pse nuk kemi ecur përpara me liberalizimin e vizave”.

“Jam i bindur që në konferencën e ardhshme në Paris do të publikohet lajmi se Kosova ka marrë datën e liberalizimit të vizave”.

“Ju kërkoj ndjesë qytetarëve që është thënë dhe stërthënë edhe gjatë vitit të kaluar që liberalizimi i vizave do të ndodhë këtë vit dhe nuk ka ndodhur”.

“Qytetarët duhet ta kuptojnë që neve na është premtuar një gjë e tillë dhe ne atë premtim e kemi transmetuar te qytetarët e Kosovës”.