OBSh-ja kërkon ndalimin e përdorimit të sheqerit në ushqimin për foshnja

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se ushqimet për foshnja përmbajnë shumë sheqer edhe atëherë kur etiketohen si ushqime të kripura dhe ka kërkuar që të ndalohet përdorimi i sheqerit në ushqim për fëmijët më të vegjël se 3 vjeç.

Selia e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën ka bërë thirrje që të shmanget përdorimi i sasisë së madhe të sheqerit në ushqimin për foshnja për shkak të dëmtimit të dhëmbëve dhe zhvillimit të prirjes për ushqime të ëmbla në fazat e mëvonshme të jetës. Sipas kësaj organizate, kjo mund ta rrisë rrezikun nga sëmundja e sheqerit në moshën e pjekurisë.

 Ky organ gjithashtu ka thënë se për foshnjat më të reja se gjashtë muaj po shiten ushqime jo të duhura dhe se ushqimi më i mirë për to është gjiri i nënës.

Këto përfundime janë nxjerrë nga një hulumtim i kryer në Britani të Madhe, Spanjë dhe Danimarkë në periudhën 2016-2017. Sipas rezultateve të këtij studimi, sheqeri përbën 70 për qind të kalorive të ushqimit të pemëve për foshnja.

Organizata për shëndetësi gjithashtu tha se shumë prodhime ushqimore për foshnja po shiten me etiketa që shkaktojnë paqartësi te blerësit dhe nuk japin informatat e duhura, shkruan “The Guardian”

SHARE