Një fëmijë në gjendje të rëndë nga gripi në Kosovë

Gripi sezonal edhe më tej po prek shumë qytetarë në vend, kështu edhe po ua rrezikon jetën atyre. Përveç këtij gripi, qytetarët rrezikohen edhe nga virusi kinez, i cili çdo ditë e më shumë po përhapet në shtetet tjera, shkruan sot gazeta Zëri.

Dy persona të prekur nga gripi sezonal kanë vdekur në Kosovë, derisa tre persona janë në gjendje të rëndë. Në rrezik për jetë është edhe një fëmijë, të cilit gripi ia ka keqësuar gjendjen shëndetësore.

Pediatri Ramush Beiqi ka thënë për “Zërin” se fëmija ka edhe probleme në zemër dhe se janë duke bërë çmos për t’ia shpëtuar jetën. Ai ka theksuar se fëmijët që kanë edhe probleme të tjera shëndetësore janë shumë të rrezikuar nga gripi. “Tani për momentin kemi një fëmijë, i cili është edhe me probleme komplekse të zemrës, por edhe i prekur nga gripi dhe që është në gjendje të rëndë. Ne po bëjmë çmos për të, por mund ta humbim luftën për shkak të komplikimeve që zhvillohen te ky fëmijë. Fëmijët që kanë sëmundje kronike, sëmundje në mushkri e në veshkë janë shumë të rrezikuar”, ka deklaruar ai.