Një ditë pas takimit Qeveri-Policia, kabineti i Kurtit miraton shtesat e rrezikshmërisë për policët

Në Qeverinë e Kosovës është miratuar sot kalimi i shtesave për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë  së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti tha sot se për kategorizimin dhe vlerën e shtesave janë dakorduar dje edhe me zëvendësdrejtorin e Policisë dhe pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese.

“Shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës do të propozohen për miratim sot. Dje kishim një takim me zv.drejtorin e PK-së, me pjesëtarë të Njësisë Speciale intervenuese. Diskutuam gjatë rreth kërkesave të tyre dhe arsyeshmërisë sonë për kategoriazimin dhe vlerën e shtesës së rrezikshmërisë. Në takim, me ministrin e MPB-së, Sveçla dhe MF-së, Murati i njoftuam dhe i siguruam ata se kategorizimi dhe vlera e shtesave është bërë me kujdes të veçantë dhe të shtuar duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët rreth punës dhe përgjegjësisë së tyre”, tha ai.

E ministri i Financave, Hekuran Murati tha se vlera e shtesave do të jetë e njëjta me atë që është miratuar në mbledhjen paraprake të Qeverisë së Kosovës.

“Lista është pra ajo që është miratuar nga kryeministri në mbledhjen paraprake të Qeverisë”, ka thënë Murati.

Në mbledhjen e kaluar, Qeveria e Kosovës mori vendim që shtesat për njësitë elitare, për njësinë speciale intervenuese, për njësinë për ndërhyrje të shpejtë, dhe për njësinë për mbrojtje të afërt, të ketë 150 euro shtesa mbi pagën bazë.

“Shtesat për njësitë elitare, për njësinë speciale intervenuese, për njësinë për ndërhyrje të shpejtë, dhe për njësinë për mbrojtje të afërt, janë nga 150 euro shtesë mbi pagën bazë”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se shtesa prej 120 eurosh do të marrin njësitet operative K-9, dhe njësia për eksplozivët dhe deminim.

“Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarë të hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj. Ekipet reaguese dhe patrullat, që përbëjnë numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse policëve që angazhohen për sigurinë e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve, do t’iu ndahen nga 50, respektivisht 40 euro shtesë të rrezikshmërisë”, pati thënë Kurti.

Ndryshe, mbrëmë Zyra e Kryeministrit ka dalë me komunikatë për takimin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kanë pasur me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti dhe përfaqësues e pjesëtarë të Njësive Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës.

Në njoftim thuhej se “në një diskutim të gjatë, kryeministri Kurti dhe dy ministrat e kabinetit qeveritar fillimisht i dëgjuan me vëmendje të gjitha kërkesat dhe çështjet e ngritura nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, teksa i falënderuan për kontributin e tyre me punë profesionale dhe në shërbim të rendit dhe ligjit”.

Sipas ZKM-së, Kurti iu ka thënë atyre se vlera e shtesave të rrezikshmërisë është bërë me kujdes të veçantë e të shtuar, duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët rreth punës dhe përgjegjësive të tyre

“Gjatë takimit, kryeministri Kurti i njoftoi ata se kategorizimi dhe vlera e shtesave të rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës është bërë me kujdes të veçantë e të shtuar, duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët rreth punës dhe përgjegjësive të tyre, por në të njëjtën kohë duke pasur parasysh edhe kufizimet që ekzistojnë.

Qeveria e Republikës së Kosovë është e përkushtuar për përmirësimin e kushteve dhe pajisjeve të punës për Policinë e Kosovës në mënyrë që krahas lehtësimit në punë, të ndikojë drejtpërdrejt po ashtu në uljen e rrezikshmërisë gjatë kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive. Ky përkushtim reflektohet edhe në projektbuxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin 2024 në të cilin parashihet shtimi i investimeve kapitale në Policinë e Kosovës”, përfundon komunikata.

Takimi ka ardhur pas protestës që Pjesëtarët e Njësitit Speciale Intervenues e kishin më 1 nëntor para Qeverisë së Kosovës.

Ata kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë për vendimin për shtesat e rrezikshmërisë të marrë para dhjetë ditësh.

Sipas propozimit të Qeverisë, shtesat për NJSI-në janë rreth 150 euro, ndërsa në kërkesë policët kanë thënë se ajo duhet të caktohet në vlerë prej 50 për qind të pagës bazë.

Në fjalimin e njërit prej pjesëtarëve të këtyre njësive, është thënë se premtimet e Qeverive ndaj tyre nuk janë realizuar “qe mbi 10 vjet”.

“I dini kërcënimet dhe rreziqet që bartin këto dy njësi gjatë gjithë kohës. Mos luani me dinjitetin tonë. Mos luani me ndjenjat e familjeve tona”, ka thënë ai para mediave, shkruan Gazeta Sinjali.

Ai shtoi se shpreson që përfaqësuesit e këtyre njësive të takohen shpejt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe që Qeveria të marrë për bazë kërkesat e tyre.

Këto pak fjalë pjesëtari i policisë elitare i tha para ndërtesës së Qeverisë, aty ku shefi i ekzekuitivit e ka zyrën e punës së tij.

Por, ai nuk e mori mundin atë ditë të dalë karshi policëve protestues – që flasë me ta – por as t’i përshëndes dhe falënderojë.

Kurti një muaj më parë i rekomandoi popullit t’i “përshëndesin dhe t’i falënderojnë policët e Kosovës kudo që i shohin”.

Këto fjalë të tij erdhën pas intervenimit të Policisë së Shtetit në rastin e Banjskës, konkretsisht pas intervenimit të Njësitit që sot protestuan, por ai vetë zgjedhi të hesht.

Ashtu siç heshtën edhe deputetët e tij në Kuvend, kundrejt kërkesave që vazhdimisht i kanë shprehur Sindikata e Policisë.

Ligjvënësit e tij, për disa herë me radhë nuk kanë shkuar fare në Kuvend – kur për votim është hedhur Rezoluta për mbështetje financiare të policëve.

Çfarë kërkon Policia nga shteti?

5 mijë e 623 policë të Policisë së Kosovës, kanë dhjetë kërkesa specifike për shtetin, dhe paralajmërojnë se është koha e fundit që ato të rezlizohen.

Kërkesat e tyre janë të renditura më poshtë:

1. Ligji i pagave;

2. Shtesa e rrezikshmërisë në punë;

3. Shtesa për punë të veçantë;

4. Klasifikimi në koeficient për stafin civil;

5. Shujta mujore;

6. Shpërblimi pë fund vit për performancë të mirë;

7. Tre paga përcjellëse për të pensionuarit;

8. Zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para;

9. Sigurimi shëndetësorë dhe jetësor;

10. Ligji për pensionim në Policinë e Kosovës

Ndërsa, Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë së Kosovës, ditë më parë ka dalë me një komunikatë për media ku shpalosi dy kërkesa për Qeverinë e Kosovës, pasi siç thonë ata kanë analizuar zhvillimet e fundit duke përfshirë edhe propozimin e tyre për shtesat për rrezikshmëri.

Siç bën të ditur ky organ, pas mbledhjes së mbajtur sot, konstatuan se shtesat e propozuara nga Qeveria janë të ulëta dhe nuk e arsyetojnë punën dhe rrezikshmërinë në Policinë e Kosovës.

Teksa, dy kërkesat e tyre të dalura nga kjo mbledhje janë:

1. Shtesa për rrezikshmëri të mos mbetet më e ulët se ajo që është pranuar para hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave, që ka qenë në shtatë nivele duke filluar nga 105 euro dhe më larta 215 euro, ose me përqindje në pagën bazë duke filluar nga 25% deri në 50%.

2. Ndërsa për stafin civil, koeficienti të harmonizohet me vendin e punës dhe profesionet që i kryejnë.

“Pakënaqësia te të gjithë pjestarët e policisë është e madhe, prandaj kërkojmë që në afat sa më të shkurtë të bëhet realizimi i këtyre kërkesave dhe kërkesave paraprake me qëllim të përmirësimit të kushteve dhe mirëqenjes në Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Policisë, shkruan Gazeta Sinjali.

Ndryshe, pagat e policëve të Kosovës nisin nga 210 euro në muaj për kadetët policorë dhe arrijnë në mbi 1.500 euro në muaj për drejtorin e përgjithshëm.

Që nga themelimi i Policisë së Kosovë, 24 vjet më parë, pjesëtarët e saj vazhdojnë të punojnë pa sigurim shëndetësor dhe jetësor.

Kërkesa për sigurim shëndetësor dhe aksidental për Policinë e Kosovës është e kahmotshme, por që deri më tani, asnjë nga qeveritë e deritashme të Kosovës nuk ka arritur ta plotësojë.

Ndryshe, Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në përmbushjen e vizionit dhe misionit të saj, në zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës së vendit, garantimin e rendit dhe sigurisë, në mënyrë që të ofrojë një shërbim efikas policor dhe profesional ndaj të gjithë qytetarëve.