Nga nesër dokumentet e udhëtimit të Serbisë s’vlejnë në Kosovë

Nga e hëna e 1 gushtit, shtetasit e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë, do të pajisen me një “dokument hyrje/dalje”.

Këtë vendim Qeveria e kishte marrë në fund të qershorit, ku thotë se Kosova brenda territorit të saj i bën të pavlefshme dokumentet e lëshuara nga autoritetet serbe, si masë reciprocitetit ndaj shtetit që nuk i njeh dokumentet identifikuese të lëshuara nga shteti ynë.

Ky vendim sikurse edhe vendimi për ndërrimin e targave RKS ka shkaktuar tensione te pala serbe, shkruan Zeri.info.

Ministri i Jashtëm, Nikola Selakoviq, ka thënë se shqiptarët po “përgatisin ferr” në Kosovë.

Ai madje paralajmëroi një takim të presidentit të Serbisë me përfaqësuesit serbë të Kosovës.

Në anën tjetër edhe drejtori i ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se përfaqësuesit e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës do të fillojnë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Këtë e bëri të ditur përmes një konference për media teksa u shpreh se kjo do të jetë përgjigja nëse autoritetet e Kosovës nuk heqin dorë nga synimi i tyre që nga 1 gushti të nisin zbatimin e vendimeve për targa të automjeteve dhe letërnjoftimet serbe.

“Serbët nuk kanë çfarë të presin. Nëse ata mund të sillen si të duan, atëherë është normale që serbët të nisin krijimin e Asociacionit. Kanë kaluar dhjetë vjet dhe ata duhet të sigurojnë të drejtat e tyre”, tha Petkoviq.