Nga mesi i këtij viti, të gjitha makinat e reja në BE, duhet të kenë të instaluar një dritë të re!

Nga mesi i këtij viti, të gjitha makinat e reja në Bashkimin Evropian do të duhet të kenë të instaluar një dritë të re të detyrueshme freni, e cila tregon qartë rrezikun në situata të caktuara dhe qëllimi është të paralajmërohen përdoruesit e tjerë të rrugës sa më shpejt të jetë e mundur dhe të shmangen përplasjet me një automjet që frenon.

Sipas rregullores së BE-së për sigurinë e përgjithshme të automjeteve, që nga 7 korriku i këtij viti, futet detyrimi për të instaluar një sinjal për ndalesë emergjente, i cili përfshin një dritë frenimi që ndizet gjatë frenimit të fortë dhe ndezjen automatike të sinjaleve të kthesës pas një ndalese të menjëhershme.

Ky sinjal aktivizohet automatikisht me një shpejtësi mbi 50 kilometra në orë. Pa këtë sinjal, nuk do të jetë më e mundur të miratohet homologimi i automjetit nga data e specifikuar.

Gjatë ngadalësimit të fortë, zakonisht me shpejtësi mbi 50 km/orë, do të ndizet e ashtuquajtura dritë adaptive e frenimit emergjent. Dritat e frenave do të pulsojnë disa herë në sekondë dhe do të sinjalizojnë frenim të fortë. Nëse automjeti ndalet pas ngadalësimit të fortë, dritat paralajmëruese të emergjencës do të aktivizohen automatikisht dhe drita e frenave do të mbetet e ndezur.

Rregullorja e re zbatohet ekskluzivisht për makinat e reja të pasagjerëve dhe automjetet e lehta tregtare, dhe ata shtojnë se makinat ekzistuese nuk kanë nevojë të modifikohen ose të pajisen me këtë sistem.

Ky sistem është pjesë e një pakete më të gjerë masash të Bashkimit Evropian për rrugë më të sigurta, të përfshira në rregulloren e BE-së 2019/2144, e cila përcakton instalimin e detyrueshëm të një numri sistemesh sigurie aktive dhe pasive në automjetet e reja, siç janë sistemet e avancuara të frenimit emergjent (AEBS), asistenca për mbajtjen e korsisë, kufizuesi inteligjent i shpejtësisë, zbulimi i përgjumjes/lodhjes së shoferit, kamera e pasme, etj./