Në dyvjetorin e rënies së heroit Afrim Bunjaku, organizohen homazhe dhe akademi përkujtimore

Nën patronatin e Ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, sot po mbahen aktivitete përkujtimore në nderim të dyvjetorit të rënies heroike të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Ceremonitë përkujtimore fillojnë me homazhe te varri i heroit Afrim Bunjaku, ku do të marrin pjesë edhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha.

Ndërkohë, në orën 15:00 do të mbahet akademia përkujtimore për nder të dyvjetorit të rënies së Afrim Bunjakut, ku pritet të jenë të pranishëm Kurti, Sveçla dhe Hoxha, të cilët do të nderojnë sakrificën dhe përkushtimin e tij për vendin dhe komunitetin.